Rruga Tiranë-Durrës me pagesë: Qeveria do ta japë me koncesion

Rruga Tiranë-Durrës me pagesë: Qeveria do ta japë me koncesion

Qeveria Rama do të hapë në shtator garën për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës, ku më pas qytetarët do duhet të paguajnë një tarifë për të kaluar.

Lajmin e bëri publik ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku. Në një deklaratë për median, Zonja Balluku daklaroi:

“Mendojmë që në vjeshtën e këtij viti projekti të shpallet për garë, të kemi një garë transparente midis investitorëve për të qenë fituesi i radhës ai që do përzgjidhet nga gara transparente dhe më pas të fillojnë punimet. Pra jo që në shtator të këtij viti do fillojë kalimi me pagesë në rrugën Tiranë-Durrës.”

Sipas ministres, kompania që do të fitojë koncesionin, përpara se të nisë mbledhjen e tarifave nga qytetarët do të duhet të bëjë:

 – rikonstruksionin e plotë të rrugës Tiranë-Plepa, e cila do të jetë rruga alternative e autostradës, ku qytetarët do të kalojnë pa pagesë;

 – rikostruksionin dhe zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.

Lidhur me pagesën që do të duhet të bëjnë qytetarët sa herë të kalojnë në autostradë, Zonja Balluku tha:

“Kemi kërkuar të ketë një pagesë të përshkallëzuar, pra jo çdo dalje të paguhet me një tarifë fletë. Nuk ka rëndësi nëse është telepas apo është pagesë, por është në varësi të gjatësisë së rrugës që do të përshkruajë çdo automjet. Pra është një tjetër pagesë kur del në Rinas, një tjetër pagesë le të themi kur shkon në zonat periferike të Durrësit apo kur ti del në port.”

Ministrja tha se muajt e fundit ka patur kontakte me shumë investitorë të huaj që kanë treguar interes për koncesionin e autostradës. Ajo nuk dha detaje për kohëzgjatjen e koncesionit, sa do t’i kushtojë ky koncesion çdo vit buxhetit të shtetit apo nëse ka një studim fizibiliteti për këtë projekt.

Nëse autostrada Tiranë-Durrës jepet me koncesion dhe bëhet me pagesë, ajo do të jetë autostrada e dytë në Shqipëri, pas asaj Milot-Kukës, ku qytetarët do të paguajnë për të kaluar.

Autostrada Tiranë – Durrës lidh dy qendrat më të mëdha të vendit, Tiranën si kryeqytet dhe Durrësin si portin kryesor dhe vend turistik. Po ashtu, përgjatë autostradës qindra biznese, shumë prej tyre, biznese të mëdha, kanë ndërtuar zyrat dhe fabrikat e tyre. Ajo është autostrada me fluksin më të madh në gjithë vendin. Sipas të dhënave, çdo ditë në autostradë kalojnë nga 24 mijë deri në 67 mijë mjetë, të llojeve dhe tonazheve të ndryshme.

Vendimi i qeverisë për të dhënë me koncesion dhe për ta bërë kalimin në autostradë më pagesë do të rrisë kostot për mijëra qytetarë dhe biznese.

Edhe në vitet e mëparshme është përfolur për vendosjen e tarifave për kalimin në këtë autostradë.

Në vitin 2015, në disa media u përfol se një studim fizibiliteti i ngjashëm me atë për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit, po bëhej dhe për autostradën Tiranë-Durrës.

Në vitin 2016, Top Channel njoftoi se Euro Consultants, kompania e konsulencës për strategjinë rrugore pranë qeverisë Rama, ka propozuar kalimin me pagesë për nëntë akse rrugore në Shqipëri, mes tyre dhe autostrada Tiranë-Durrës. Kompania rekomandonte që tarifat për kilometër të jenë  0.5 deri në 3.5 cent, para të cilat do të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve.

Në shtator 2016, qeveria hoqi palmat e mbjella përgjatë autostradës me justifikimin se së shpejti do të niste puna për zgjerimin e saj. Në vitet në vijim, qeveria ka bërë herë pas herë punime në autostradë por jo zgjerimin e saj.

Më 5 nëntor 2018, ish-ministri Ahmetaj deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se pranë qeverisë ka patur një propozim të pakërkuar nga një kompani private, për marrjen me koncesion të autostradës:

“Projekti i prezantuar zyrtarisht në Ministrinë e Infrastrukturës dhe i shpërndarë në autoritetet që marrin pjesë në konsiderimin e projektit duke përfshirë dhe Ministrinë e Financave është një propozim i cili në potencë kërkon zero lek nga buxheti i shtetit.”

Edhe ish-ministri i Infrastrukturës Gjiknuri, në nëntor 2018, tha se shteti shqiptar nuk ka para mjaftueshëm për të zgjeruar autostradën dhe se po mendon për vënien e tarifës për kalimin në të:

“Që të zgjerosh këtë rrugë me paratë e buxhetit, do të duhen mbi 200 milionë euro, gjë që ne nuk e kemi. Një rrugë, e cila vërtetë do të jetë me pagesë dhe këtu s’kemi pse ta fshehim, por do të kemi parasysh se do të ketë dy rrugë alternative, pjesë e kësaj kontrate koncesionare të mundshme pa pagesë.”

Por më pas asnjë detaj mbi studimin, projektin apo kompaninë që ka shfaqur interes nuk u bë publik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>