Kryeministri në largim i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi të hënën në një konferencë për media se do t’i dorëzojë të martën detyrën e kryeministrit Albin Kurtit.
“Nesër do të dorëzojë detyrën sipas protokollit shtetëror. Kryeministrit të ri i kam përgatitur dosjen e plotë me informacionet për punët që janë në proces”, u shpreh para gazetarëve Hoti.
Ai tha se do t’i dorëzojë Kurtit informacionet për procesin e integrimit euopian, për programet IPA, për diskutimet që janë me vendet e Bashkimit Europian në procesin e liberalizimit të vizave.
“Do t’i dorëzojë informatat e plota për procesin e dialogut, si është zhvilluar deri më tash, përgatitjet që janë bërë, ekspertët që kanë qenë të angazhuar, dakordimet e miqve tanë ndërkombëtar. Do t’i dorëzoj informatat për marrëveshjen e Uashingtonit. LDK dhe unë nisim një rrugëtim tjetër. Roli jon në mbrojtje dhe zhvillim të shtetit tash do të jetë në opozitë në Kuvendin e Kosovës duke mbikëqyr punën e qeverisë”, tha Hoti.
Qeveria Kurti u votua të hënën në Kuvendin e Kosovës me 67 vota pro dhe 30 kundër. Nuk pati asnjë abstenim në votim. Albin Kurti do të jetë kryeministri i ri i Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë me 50.28% të votave.