Avioni personal, dëshira e tretë dhe e fundit e udhëheqësit Rama

Nga Stiliano Rushaj
Avioni personal, dëshira e tretë dhe e fundit e udhëheqësit Rama

Ditën e dielë në Rinas mbërriti një avion me mbishkrimin “Albania”. Në fillim u mendua se do të ishte “Naimi”, avioni i ri i flotës së kompanisë me flamur shqiptar “Air Albania”, sukseset e së cilët kryeministri Rama i kishte ngritur në qiell 10 ditë më parë.

Por mbishkrimi i avionit ishte “Ismail” dhe më pas u zbulua se kodi i regjistrimit që mbartte (TC-ANA) i përkiste një avioni zyrtar të Qeverisë së Turqisë. Çmimi për një avion të ri si ky është rreth $105 milionë. Ai mund të fluturojë 11.000 km, me një mbushje karburanti.

Ende nuk ka një qëndrim të qeverisë shqiptare se për çfarë do të shërbejë ky avion. A do të jetë ai në shërbim të qeverisë? Nëse po, a kanë paguar qytetarët shqiptarë për të, apo është dhuratë për kryeministrin nga miq të tij? A ka lidhje Air Albania me këtë avion?

Asnjë kryetar shteti apo qeverie demokratike të një vendi evropian me përmasat dhe varfërinë e Shqipërisë nuk ka një avion të tillë në dispozicion. Madje edhe në vende me demokraci të brishtë apo autoritariste drejtuesit e tyre janë më të përmbajtur. P.sh., Presidenti Lukashenko në Bjellorusi nuk përdor asnjë avion për zyrtarë me status VIP të flotës ajrore shtetërore prej tri vitesh. Armenia ka pasur një avion sovjetik VIP por vetëm deri në vitin 2013.

Një përjashtim është Azerbaixhani, modelin qeverisës të të cilit shqiptarët nuk do të donin ta ndiqnin edhe nëse do të kishin ato burime të jashtëzakonshme të gazit dhe naftës, të cilat mund t’ia lejonin financiarisht mbajtjen e një flote VIP për udhëheqësin e qeverisë së tyre. Ka edhe shembuj të tjerë nga vende të tjera autokratike si Kazakistani, Uzbekistani, Turkmenistani, ku udhëheqësit kanë edhe avionë VIP.

Historia na jep edhe raste të familjarëve të udhëheqësve autoritarë që përdorin të mirat publike si lodra luksi, si në rastin e Zaires (Kongos) në mes të viteve ‘70. Enver Hoxha në Shqipëri krijoi një flotë luksoze VIP me 3 avionë IL-14P të ardhur nga Gjermania Lindore, të cilët i modifikoi për t’ia pështatur shijes së tij në fillim të viteve ’70.

Duke marë parasysh heshtjen e qeverisë, mbishkrimet e avionit dhe të dhënat e tjera të sjella këtu, gjasat janë të larta që avioni i sapoardhur “Ismail” të vihet së shpejti në shërbim të kryeministrit Rama.

Ky tashmë do të mund të ketë qilimin e tij magjik, me motive sipas shijes së tij, si në përrallat e Një Mijë e Një Netëve. Në përrallën shqiptare, Rama nuk është Aladini, por Xhaferi, këshilltari dinak i sulltanit. Kur e shtiu në dorë llampën magjike, dëshirën e parë Xhaferi e shfrytëzoi për t’u bërë vetë sultan. Ramës dëshira iu plotësua në 2013, kur u bë kryeministër.

Dëshirën e dytë Xhaferi e përdori për të marrë më shumë kontroll dhe u bë magjistari më i pushtetshëm i vendit. Rama arriti një pushtet thuajse absolut përmes zgjedhjeve të 2017, të dyshuara si të vjedhura në bashkëpunim me kriminelë, si dhe pas zgjedhjeve të para moniste të 2019, 30 vjet pas rënies diktaturës komuniste.

Pas shijimit fillestar, dëshira e tretë dhe e fundit i solli fundin e tij Xhaferit; egoja ia errësoi sytë dhe gjykimin. Nuk është krejtësisht e qartë nëse Rama ka nisur ta shijojë dëshirën e tij të tretë apo është ende nën tundimin për ta realizuar atë.

Ajo që shohim është se në pistën e Rinasit është tashmë avioni madhështor “Ismail”, me serbatorin mjaftueshëm të madh për të fluturuar në çdo kohë nga Tirana deri edhe në zemrën e Los Anxhelosit, në Hollivudin e ëndrrave të Ramës, që realizon filma përrallash me qilime fluturuese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>