Seanca e radhës në Hagë ndaj tre ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, është shoqëruar me akuza në drejtim të prokurorisë për mënyrën se si ajo po nxjerr materialet dhe po trajton provat.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka akuzuar Dhomat Speciale në Hagë se pengojnë mbrojtjen të kryejë hetimet e duhura ndërsa shtoi se akuzat ndaj ish-kryeparlamentarit të Kosovës janë ngritur pa asnjë provë.
Emerson është shprehur para gjykatës se nxjerrja e materialeve nga prokuroria po bëhet “në mënyrë të paorganizuar” dhe kjo po krijon “pengesë të jashtëzakonshme”.
“Ne si mbrojtje s’kemi pasur asnjë dosje paraprake të prokurorisë, shumë herë prokuroria ka refuzuar të na japi dosjen paraprakisht dhe do të na japi vetëm në momentin e fundit, para gjykimit”, tha Emerson.
Ai kërkoi që të njihet me materialet e plota të aktakuzës “për të kuptuar se çfarë po pretendon prokuroria”
“Thjeshtë janë futur në një tufë materialesh të tjera dhe mbrojtja s’është në gjendje të përgatitet ashtu siç duhet”, shtoi avokati i Veselit.
Sa i përket akuzës, Emereson tha se ajo është “shumë e dobët” dhe se “bazohet në prova që nuk ekzistojnë”. Ai solli në vëmendje faktin se në 34 vende të ndryshme ku pretendohet se janë kryer krimet, Veseli nuk përmendet se ka qenë i pranishëm.
Ankesa në lidhje me nxjerrjen e materialeve nga Zyra e Prokurorit Special pati edhe avokati kryesor i Hashim Thaçit.
David Hooper theksoi para gjykatës faktin se “materialet e nxjerra nga Prokuroria duhet të ndihmojë ata ta përgatisin mbrojtjen dhe jo ta komplikojë atë.”
Hooper shprehu rezerva dhe për mënyrën se si po veprohej me dëshmitarët.
“124 dëshmitarë që janë bërë të njohur, shumica e tyre me pseudonime. Nuk kemi të dhëna se për çfarë do të flasin këta dëshmitarë sepse kur ka dëshmitarë, duhet të ketë prova”, tha ai.
Ndryshe nga Thaçi dhe Veseli, Jakup Krasniqi ka replikuar personalisht me prokurorin Jack Smith por jo për materialet dhe provat ndaj tij.
Ai iu drejtua prokurorit duke thënë se nuk i takonte të fliste në emër të popullit të Kosovës.
“Në emër të qytetarëve të Kosovës mund të flasim ne përfaqësuesit e tij”, tha Krasniqi.
“E kisha lutur prokurorin që nëse ai duhet të flet në emër të dikujt ose nëse duhet të flet emër të krimeve të pretenduara ai le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që ka përdorur Serbia që nga vitit 1876-1878 ndaj popullit të Kosovës.”, shtoi ish-kryeparlamentari i Kosovës.
Ish-komandatët e lartë të UÇK-së, të arrestuar më datat 4 dhe 5 nentor nga Gjykata speciale e Hagës akuzohen se:
Nga muaji marsi 1998 dhe shtator 1999 kanë kryer “arrestim dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup ndodhen në paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.