Avokati i Popullit (AP) konstatoi se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka vepruar në mungesë të transparencës së plotë gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese (GJK).
Në raportin paraprak, AP shkruan se KED ka pamundësuar zgjedhjen sipas ligjit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Ligjit Për Organet e Drejtësisë, KED ka për detyrë të hartojë listat me kandidatë për Gjykatën Kushtetuese.
AP shprehet se shkelja e procedurës nga KED filloi që më mospublikimin e raporteve përkatëse për kandidatët, si dhe me pamundësinë objektive të kandidatëve për tu njohur me dokumentacionin voluminoz të KED. Kandiatët nuk kishin mundësi të bënin mbrojtje efektive për këtë shkak.
Me mbarimin e renditjes së kandidatëve, AP konstaton se kryetari i KED-it nuk bëri të ditur përfundimin e procesit, pra dërgimin e listave tek Presidenti dhe Parlamenti.
Nga ana tjetër listat përmbanin të njëjtët kandidatë, duke bërë kështu që më përzgjedhjen e kandidatit të parë nga ana e Presidentit, listat të mbeteshin me më pak se tre anëtarë. Kjo, sipas AP ngre dyshimin se anëtarët e GJK mund të ishin të paracaktuar.
Listat me kandidatë u dërguan tek Presidenti dhe Kuvendi me diferencë kohore prej pesë ditësh. AP shprehet se ky dërgim ishte i pajustifikuar duke qenë se kishim të njëjtët kandidatë për vendet bosh të shpallura nga Presidenti dhe Kuvendit.
Raporti thekson e gjithë procedura e mësipërme u bë pa vendimarrjen e Këshillit.
Në fund të raportit, AP shprehet se:
“Për secilën vakancë verifikimi dhe renditja e kandidatëve bëhet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet t’u krijojë organeve të emërtesës mundësi zgjedhjeje të mjaftueshme midis kandidatëve, të cilët në rast se ka më shumë se një vakancë të hapur, duhet të jenë të tilla që të sigurojnë përzgjedhjen midis 3 gjyqtarëve dhe 3 jo gjyqtarëve.
KED si organ kushtetues dhe aq më pak një anëtar i vetëm i saj nuk mund të ngushtojë mundësinë e përzgjedhjes të organeve të emërtesës, të cilat janë të sanksionuara si të tilla nga Kushtetuta.”
Siç ne kemi argumentuar më parë, Kushtetuta përcakton qartë rradhën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatë Kushtetuese. Por KED në shkelje flagrante të saj, anashkaloi procedurën, duke krijuar një ngërç kushtetues.