Avokati i Popullit në Kosovë i është bashkuar kritikave ndaj vendimit të KQZ-së për votën e emigrantëve, që e kufizon atë në një telefonatë, duke i kërkuar që ta rishikojë vendimin.
Avokati i Popullit i kërkoi të martën KQZ që të evitojë çdo vendim që mund të shkel të drejtën e votës, raportojnë mediat e Kosovës.
Në njoftimin e Avokatit të Popullit thuhet se përderisa Kushtetua e Kosovës e njeh të drejtën që zgjedhësit jashtë Kosove të votojnë nga aty ku ndodhen “zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik”.
Avokati i Popullit deklaron:
“Prandaj, është e domosdoshme që KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës, të garantuar me kornizën ligjore të vendit”.
Vendimi i KQZ për votën e emigrantëve parashikon:
- KQZ-ja do të verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim, duke i kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit;
- Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet
Ky vendim ka sjellë reagime në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës kundërshtoi, të martën duke thënë se shkel të drejtën e votës.
LVV i ka dërguar një ankesë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa(PZAP).
Po ashtu edhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani e ka kundërshtuar, e cila të hënën fill pas publikimit të vendimit i kërkoi KQZ të rishikojë vendimin.