Avokati i Popullit ka prezantuar një draft ku propozohet se sa duhet të jetë minimumi jetik në Shqipëri.
Sipas studimit të Avokatit të Popullit, minimumi që i duhet një personi për të garantuar nevojat bazë në Shqipëri është 17 875 lek në muaj.
“Kjo vlerë është 9,9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37,5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45,5 % më e ulët sesa paga minimale”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Niveli më i ulët i minimumit jetik në BE është ai i Rumanisë me 193 euro për frymë.
Minimumi jetik në Shqipëri, nuk është i përcaktuar në terma konkretë, përveçse si parim në Kushtetutë sa i përket dinjitetit të njeriut, të drejtave dhe lirive të tij, drejtësisë shoqërore.
Sipas Avokatit të Popullit, mungesa e përcaktimit e bën Shqipërinë pjesë të atij grupi vendesh që nuk mund të garantojnë burimet e jetesës bazë të qytetarëve dhe ndikon në hartimin e politikave për mbrojtjen sociale, sidomos në përcaktimin e qartë të qëllimit të tyre.
Avokati rekomandon se në përcaktimin e minimumit jetik, individit duhet t’i sigurohet jo vetëm ekzistenca por edhe t’i mundësohet aksesi minimal në jetën kulturore, sociale dhe politike.
Raporti “Për Minimumin Jetik në Shqipëri” u prezantua në një konferencë ku morën pjesë Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD në Shqipëri Limya Eltayeb, ekspertët e angazhuar në përpilimin e këtij Raporti, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe INSTAT.
Raporti është tashmë i hapur për konsultim publik e më pas do t’i dorëzohet Kuvendit të Shqipërisë.