Avokati i Popullit i rekomandoi dje institucioneve shqiptare që t’i rinovonin lejen e qëndrimit gazetares britanike Alice Taylor.
Në mars të këtij viti, gazetares Taylor ju refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit. Ajo mori gjobë dhe iu kërkua që të largohej nga Shqipëria dhe të niste aplikimin nga e para pavarësisht se ishte gjashtë muaj shtatzënë. Për rreth dy javë autoritetet refuzuan t’i jepnin asaj një shpjegim zyrtar për refuzimin e lejes së qëndrimit duke publikuar në media informacione konfidenciale të saj dhe duke deklaruar se ajo ishte në shkelje të ligjit.
Përtej akuzave e tjera, gazetaren Taylor e akuzuan se ajo nuk u paraqit në Drejtorinë e Migracionit personalisht, nuk kishte kontratë pune, nuk kishte aplikuar për llojin e duhur të lejes dhe se kishte shkelur afatin e rinovimit të lejes. Taylor deklaroi se këto ngjarje nuk ishin të vërteta. Ajo ka qenë e shtruar në spital për shkak të komplikimeve serioze të shtatzënisë e saj në ditët kur përfundonte afati për të aplikuar, dhe në përputhje me ligjin, gazetarja paraqiti dokumentet që vërtetonin qëndimin e saj në spital, ndaj leja e saj e qëndrimit duhet të rinovohej. Taylor, po ashtu, sqaroi se pavarësisht se ishte e sëmurë dhe kundër urdhrave të mjekut, ajo ishte paraqitur dy herë në drejtori përpara se ta lajmëronin se për shkak të gjendjes së saj, lejohej që dhe partneri i saj të paraqitej në emër të saj.
Megjithatë, Drejtoria e Migracionit refuzoi t’i jepte dokumentet pasi sipas tyre shtrimi i gazetares në spital nuk ishte një arsye e mjaftueshme për të mos shkuar në zyrën e drejtorisë në Laprakë. Në mënyrë jozyrtare Drejtoria e Migracionit përdorën dhe një mori arsyesh të tjera për të mos i rinovuar lejen e qëndrimit Taylorit, përfshi dhe jetën personale të saj.
Dje, Avokati i Popullit konstatoi se kërkesa e gazetares dhe paraqitja e dokumenteve mjekësore ishte në përputhje me ligjin shqiptar. Ajo shtoi se gjoba e lëshuar nga Drejtoria e Migracionit ishte e paligjshme dhe duhet të revokohej, në mënyrë që rinovimi i lejes të lëshohet.
Policia ka 30 ditë kohë për të zbatuar rekomandimin e AP-së ose çështja do shkojë në gjykatë.
Ky lajm është një fitore e shumëpritur për Taylor-in për shkak se ajo kishte respektuar të gjitha udhëzimet e dhëna nga autoritetet dhe ishte në përputhje me ligjin. Ajo i dorëzoi Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet mjekësore përkatëse, si dhe kopjet e korrespondencës ndërmjet saj dhe Drejtorisë së Migracionit dhe pas disa muajsh hetimi, avokati i popullit deklaroi se ajo kishte të drejtë.