Numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla e ka akuzuar presidentin Ilir Meta si aktor të opozitës pasi ai ktheu në Kuvend ligjin për buxhetin e 2021.
Presidenti ktheu mbrapsht ligjin për buxhetin e 2021 në 11 dhjetor.
Të martën Komisioni i Ekonomisë e rrëzoi dekretin e presidentit.
Të mërkurën, në një komunikim me mediat, duke e cilësuar si lojë dekretin e Metës, Balla tha se “të luash me buxhetin është kundër interesit kombëtar”.
“Përballemi me një lojë politike djallëzore nga Presidenti i Republikës që nuk është një President por një aktor i opozitës së rrugës. Pengoi me kaq javë hyrjen në fuqi të buxhetit ku ne kemi planifikuar të gjithë investimin tonë buxhetor për sigurimin e vaksinës”, tha Balla.
Balla pohoi se qeveria ka planifikuar 12 mln dollarë që do të vendosen në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë për të mbuluar mjekimin falas të të prekurve me COVID-19.
Pas kthimit të ligjit, presidenti ka kritikuar buxhetin në rrjetet sociale.
Presidenti mendon se ky ligj nuk parashikon mbështetjen e duhur financiare për përballimin e pasojave të pandemisë.