Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, deklaroi të shtunën se Komisioni i Venecias nuk hedh poshtë ligjin për median. Madje sipas Ballës, Venecia përkrah nismën e qeverisë se vendi ka nevojë për një ligj që rregullon median.
Në një konferencë për shtyp, Balla u shpreh:
“Opinioni përfundimtar i Venecias jo vetëm që nuk ka hedhur poshtë ligjin si anti-kushtetues, por ka përkrahur nevojën e një ligji të tillë për rregullimin e tregut të mediave elektronike në Shqipëri.
Ndryshe nga sa pretendon opozita, që sulmon ligjin si një mjet për të “censuruar shtypin”, Venecia thekson se ligji është në përputhje të plotë me praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias vlerëson nevojën për disa përmirësime dhe saktësime të tekstit të ligjit, por jo për t’u rrezuar si nisëm, ashtu siç pretendon opozita.”
Në të vërtetë, duket se Balla është munduar të përfshijë në deklaratën e tij për shtyp ato pak përfundime të Venecias që janë positive ndaj nismës së qeverisë, por lë jashtë të gjithë kritikat bërë nga Venecia dhe më pas cituar nga opozita.
Të shprehesh si Balla sot, i cili pretendon se Venecia ka bërë vetëm disa rekomandime ‘për saktësime të tekstit të ligjit’ është e pavërtetë dhe tregon se Balla, në rastin më të mirë nuk e ka kuptuar saktë, dhe në rastin më të keq, po mundohet ta fshehë nga publiku dhe ta keqinterpretojë faktin se opinioni i Venecias kritikon dhe hedh poshtë thelbin e paketës anti-shpifje: kapjen dhe censurimin e medias.
Është e vërtetë se Komisioni i Venecias mbështet idenë e “krijimi të një institucioni vetërregullues, që funksionon në mënyrë efektive dhe përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.”
Por KV thekson qartë se paketa e shkruar nga qeveria “mbart me vete një potencial të konsiderueshëm për të bërë më shumë dëm sesa mirë për lirinë e shprehjes në Shqipëri.’
KV shkruan se ‘ligji vuan nga paqartësia dhe ka të ngjarë të ketë një “efekt të ftohtë” duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik në sektorin shqiptar të internetit.’
Komisioni ngre dyshime të thella për pavarësinë e Autotitetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe pohon se dhënia e kompetencave të zgjeruara cenon lirinë e medias.
Po ashtu Komisioni argumenton se procedura ligjore për kundërshtimin e vendimeve të dyshimta të AMA-s nuk ofron garanci të mjaftueshme mbrojtëse, pasi vendimet e saj kanë efekt të menjëhershëm.
Në lidhje me gjobat e parashikuara në ligj, Venecia i konsideron ato si “jashtëzakonisht problematike për lirinë e medias” dhe që “mund të konsiderohen si një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media”.
Opinioni sqaron më tej se kapaciteti ekonomik i një portali online nuk merret parasysh nga AMA në rastin e gjobave, duke çuar në një situatë ku “media të vogla të paralizohen nga gjoba joproporcionale”.
Venecia kritikon dhe parashikimet ligjore të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave online në rast ankimimi në gjykatë. Komisioni argumenton se “procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve”.
Në lidhje me regjistrimin e portaleve tek AMA, Venecia e konsideron në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe një mjet joefikas.