Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla shpjegoi para gazetarëve, të martën, objektin e komisionit të posaçëm për hetimin e krimeve të pretenduara të kryera nga UÇK pas luftës së Kosovës.
“Komisioni i Posaçëm është një komision faktmbledhës për akuzat e pretenduara se janë kryer krime lufte në Shqipëri. Nuk ka një komision të posaçëm për të sqaruar Lulzim Bashën, apo përgjegjësitë morale”, tha Balla.
Sipas Ballës, përfundimet e Komisionit do të dërgohen në Asamblenë e KiE-së për të nisur “një betejë ligjore për të sqaruar për çdo gjë që lidhet me pretendimet se gjatë luftës së Kosovës paskan pasur krime lufte në Shqipëri”.
Pyetjes pse ky komision u ngrit tani dhe jo më herët, Balla ju përgjigjë se:
“Pa u ngritur akuza të gjithë kemi besuar se historitë që lidhen me krime lufte në Shqipëri ishin sqaruar njëherë e përgjithmonë”.
Ai theksoi se komisioni nuk do të hetojë asgjë për ‘Shtëpinë e Verdhë’, pasi në asnjë raport nuk ka prova për këtë ngjarje.