Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka marrë në mbrojtje ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, pas ngjarjeve të rënda kriminale të një ditë më parë ku 3 persona humbën jetën, një prej tyre në një atentat mafioz.
Duke folur nga Elbasani, në një ceremoni për Forcat Speciale, Balla tha se Lleshaj ‘ka bërë dhe bën një punë të shkëlqyer’ në drejtim e policisë shqiptare.
Duke iu referuar ngjarjeve të 15 shtatorit Balla tha:
“Sulme kriminale si ai i mbrëmshmi në Tiranë ndodhin në çdo kryeqytet të botës dhe do doja të kishit pak durim sepse policia e Shtetit do t’i zbulojë në kohë autorët dhe do t’i vërë para përgjegjësisë.”
Një ditë më parë rreth orësh 19:00, iu bë atentat me tritol, Prend Gjinit, në urën e Vasil Shantos. Makina e tij shpërtheu në ecje.
Ndërsa më parë, një grua u vra me armë zjarri nga kunati i saj në Bathore, në rrugën “Apollonia” dhe një 33-vjeçar u gjet i vrarë brenda një makine, në fshatin Sinaballaj, në Rrogozhinë.