Kreu i grupit parlamantar socialist Taulant Balla deklaroi të mërkurën se në 30 korrik do të votohen ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Duke folur nga kuvendi, Balla tha se shpreson që PD e LSI të pranojnë ndryshimet kushtetuese, por edhe nëse ata nuk i pranojnë, shumica socialiste dhe opozita parlamentare do t’i miratojnë ato:
“Kuvend duhet të hapë listat, dhe nesër, pa pritur që Luli të bjerë dakord, edhe pse shpresoj që kjo ditë të jetë dita kur të bien dakord.”
Balla tha se kryetari i PD-së Lulzim Basha po përdor dy standard ku flet për marrëveshjen e 5 qershorit dhe për ndryshimet kushtetuese:
“Thotë se paskemi shkelur afatet e Kodit të Komisionit të Venecias që nuk këshillon ndryshime 1 vit para zgjedhjeve! Po edhe Kodin e Praktikave të mira Luli e lexon sipas qejfit, sepse po t’i qëndrojmë strikt leximit atëherë ne s’duhet ta votonim as marrëveshjen e 5 qershorit, se edhe ajo i bie më pak se 1 vit para zgjedhjeve të ardhshme.”