Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se objektivi i Kuvendit pas zgjedhjeve është ligji për financimin e partive dhe ligji për partitë politike.
Balla tha se transparenca është e domosdoshme.
Ai solli në vëmendje rastin e vitit 2017 mbi dyshimet që lindën për një financim 650 mijë dollarësh në PD, që vinin nga kompani me pronarë rusë.
“Gjithmonë pas përfundimit të proceseve zgjedhore Kuvendin fillon diskutimet për reformat zgjedhore dhe unë në legjislaturën tjetër, atë të 2021 në shtator, do ta vija theksin te legjislacioni që lidhet me financimin e partive politike dhe me ligjin e partive politike. Duhet ta rrisim transparencën e partive politike. Kujtoj se Shqipëria ka qenë një rast i diskutuar ndërkombëtar sa i përket penetrimit të financimeve të huaja të paligjshme, të dyshimta, sikurse ishte rasti i financimit të PD-së në vitin 2017 për rreth 650 mijë dollarë të firmosura nga Lulzim Basha por që pas investigimit të gazetarëve amerikane rezultoi që ata pagesa vinin nga disa kompani guackë në pronësi të disa shtetasve rusë”, tha Balla në”, tha Balla në Report Tv.
Sa i takon ligjit për partitë politike, Balla tha se është nevojshëm një qartësim. Janë 120 parti, tha Balla por në zgjedhje paraqiten vetëm 20 ose 30.
Teksa foli për punën e Kuvendit gjatë 2020, ai veçoi finalizimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe emërimin e tre vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
“Padyshim dua të vlerësoj faktin se Kuvendi i Shqipërisë ishte institucioni i parë ndër tre institucionet që ka përmbyllur të tria vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Një proces tejet transparent dhe i vlerësuar nga partnerët. Kuvendi ka funksionuar në mënyrë transparente dhe normale përgjatë gjithë procesit të ligjvënies. Ne i qëndruam marrëveshjes së 5 qershorit”, tha Balla.