Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se PD hoqi dorë nga të gjitha kërkesat e saj për Reformën Zgjedhore dhe pranoi se zgjedhjet e 2017 ishin të lira dhe demokratike.
Në një intervistë për gazetarët, Balla u shpreh:
“Më vjen mirë që PD pranoi (marrëveshja për Reformën Zgjedhore). PD hoqi dorë nga të gjitha kërkesat e veta. Pranoi që zgjedhjet e qershorit të 2017-ës kanë qenë të lira dhe demokratike.”
Të shtunën, Këshilli Politik arriti marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.
Partia Socialiste hoqi dorë nga propozimi për departizimin e administratës zgjedhore, duke rënë dakord për ruajtjen e komisioneve me përfaqësues partiakë sikurse janë aktualisht.
Palët ranë dakord gjithashtu që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, duke pranuar që kryetari të zgjidhet me konsensusin e shumicës dhe opozitës, ndërsa nënkryetari të zgjidhet nga opozita.
KP ranë dakord gjithashtu që votuesit të identifikohen në mënyrë biometrike në të gjithë vendin.