Partia Socialiste (PS) depozitoi sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla rreshtoi argumentat e qëndrimit përfundimtar të maxhorancës ndaj dekretit të Presidentit, i cili anuloi datën 30 qershor si datë kur do të zhvilloheshin zgjedhjet vendore.
Në një konferencë të konsideruar si urgjente dhe që zgjati rreth 30 minuta, Balla u shpreh se ishin rreth 55 deputetë që kishin kërkuar nisjen e procesit të shkarkimit të Presidentit. Ai tha se “Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS theksoi se sipas maxhorancës me anulimin e datës 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore, Presidenti “ka cënuar sovranitetin e popullit, i ka njohur vetes atributet e Parlamentit, ka shkelur parimin e periodicitetit 4-vjeçar të zgjedhjeve, ka cënuar rendin, parimet kushtetuese dhe ligjshmërinë e organeve të qeverisjes vendore”.
Duke u zgjatur në secilin argument që ka mbajtur maxhoranca ndaj dekretit të Presidentit, Balla këmbënguli se ky i fundit “është sjellë arbitrarisht si pushtet ekzekutiv duke shtyrë arbitrarisht datën e zgjedhjeve”.
Taulant Balla u ndal edhe te krahasimi i rasteve me rastin e vitit 2007 kur gjithashtu asokohe data e zgjedheve u shty. Ai tha se “situata është e kundërt” pasi asokohe sipas tij ky vendim erdhi pas një marrëveshje mes palëve, pas miratimit të një ligji në Parlament dhe më pas mes një dekreti të Presidentit.
Më tej kryetari i grupit parlamentar socialist, kujtoi rezolutën e votuar së fundmi nga maxhoranca, që i kërkonte Presidentit “të reflektonte thellë mbi vendimin e tij” por që sipas Ballës këtë gjë ai nuk e ka bërë.