Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se shumica është e hapur për të diskutuar në lidhje me listat e hapura.
Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Balla pohoi se i vetmi kusht i PS është vota e emigrantëve.
“Ne nuk kemi thënë që nuk do t’i marrim në konsideratë propozimet e kolegëve për Reformën Zgjedhore. PS ka vetëm një kusht për këtë reformë: votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Për sa i përket çështjeve që ju propozoni për hapje listash, nuk është tabu, jemi të gatshëm të ulemi e të diskutojmë.”
Në lidhje me akuzat ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, Balla u shpreh:
“Ne si Kuvend duhet të shprehim indinjatën e thellë lidhur me akuzat ndaj Thaçit e Veselit, ku lufta çlirimtare rikthehet si fantazmë, si një mjet për të ngritur tymnajë të padrejtë përkundrejt asaj që është skalitur në historinë e kombit shqiptar si një luftë që Kosova e ka zhvilluar për çlirim, liri dhe pavarësi. në këtë këndvështrim mendoj se ne këtu duhet të flasim me një zë. Unë nuk e besoj akuzën, jam i bindur dhe i sigurt, Hashim Thaçin e kam njohur personalisht, Ramushin, Kadriun, të gjithë udhëheqësit e luftës çlirimtare.”