Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu ka denoncuar të hënën kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ka marrë ryshfet për t’i dhënë një biznesmeni pronë publike në zonën e Unazës së re për të ngritur një pallat.
Gjatë një interviste në Ora News, Balliu ka publikuar dokumente të cilat sipas tij tregojnë se në një pjesë të segmentit të Unazës së Re që po ndërtohet, i ka dhënë trotuarin një biznesmeni për të rritur koeficentin e ndërtimit.
“Të gjitha këto me nënvizime të kuqe, nga fillimi në fund, është trotuar. Pjesë në të majtë që është përballë godinës së bardhë është një lulishte. Ajo lulishte është bërë nga pronari i këtij pallati. Ndërkohë, sot bashkia e ka marrë atë lulishte dhe ja rijep sërish për të rritur koeficientin e ndërtimit sepse toka e nënvizuar me jeshile është tokë e këtij zotërisë. Por nuk i del ajo tokë për të bërë pallat sepse koeficienti i ndërtimit del shumë i ulët. Atëherë çfarë bën Erion Veliaj? I jep të gjithë trotuarin. Nga fillimi deri në fund.”
Balliu paraqiti edhe një kontratë sipërmarrjeje sipas të cilës, parashikohet dhënia e sipëfaqes që ka shërbyer si trotuar, një biznesmeni. Ish-deputeti deklaroi gjithashtu se kontrata është nënshkruar nga nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku.
“Për shkak se kjo pronë bëhet e biznesmenit bllokohet e gjithë zona për zhvillim. E gjithë kjo zona këtu është e bllokuar për zhvillim se të gjithë këtë zonën e ka rrethuar me pronë dhuratë nga bashkia. Kjo ndodh vetëm për një arsye: sepse Erion Veliaj ka marrë ryshfet!”.
Raste si ky, janë edhe aryseja përse iu prishën shtëpitë qytetarëve në zonën e Unazës së Re, shtoi më tej Balliu, i cili ishte një nga eksponentët më aktivë të PD-së gjatë protestave tek Astiri.
“Rruga ajo është që ka qenë gjithmonë, por duhej të shkatërroeshin pronat e qytetarëve për të bërë pallate. Dhe këtë gjë e konfirmon vetë Erion Veliaj. Pavarësisht se nuk e ka pranuar fillimisht edhe e kundërshtonte kategorikisht, edhe në intervista të ndryshme. Sot vetë Erion Veliaj ka deklaruar se buzë rrugës do të bëhen pallate. Dhe kjo është e vetmja arsye pse janë shkatërruar shtëpitë e qytetarëve. Kjo tashmë nuk është më vetëm për Unazën. Kjo po ndodh në çdo lagjje të Tiranës. Erion Veliaj po merr pronat publike dhe po ua jep ndërtuesve për ti rritur atyre koeficientin e ndërtimit.”
Sipas Balliut, aktualisht 60 banorë të Unazës po përballen në dyert e gjykatave, ndërsa shtoi se, nuk ka asnjë politikan që të shkojë para drejtësisë.
Ai rikujtoi se për skandalin e koncesionit të rrugës me kompaninë “DH Albania” nuk ka asnjë pushtetar të dënuar ndërkohë që nga ana tjetër, qytetarët që morën pjesë në protesta vijojnë të enden gjykatave.