Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi, të martën, se nuk e ka ditur që aeroporti i Rinasit i është shitur kompanisë shqiptare Kastrati.
Në një konferencë për shtyp, Balluku tha se e ka marrë vesh lajmin nga media:
“Kam marrë informacione nga mediat dhe e kam kontrolluar në QKR. Nuk kemi informacione nga palët.”
Balluku tha se shitja e koncesionarit mund të jetë një mundësi e mirë për të ndryshuar kontratën për aeroportin e Rinasit sepse ‘ajo është një kontratë që ka nevojë për ndryshim thelbësor’.
Përgjegjësitë aty janë të sanksionuara vetëm me një fjalë dhe pa penalitete, theksoi Balluku.
Ajo shtoi se shpreson që ndryshimi i kompanisë koncesionare të sjellë ndryshime pozitive në menaxhimin e aeroportit:
“Aeroporti i Tiranës është i vetëm ndërkombëtar që kemi. Me problematika shumë të mëdha që unë i kam bërë publike. I kam kërkuar koncesionarit të plotësojë disa kushte. Me zhvillimet e fundit shpresojmë që një erë e re do të vijë edhe atje.”
Pak ditë më parë, në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezultoi se Kastrati group është aksioneri 100% i Tirana International Airport, kompania që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar Nënë Tereza.
Kastrati do të paguajë 71 milionë euro drejt koncesionarit të TIA. Marrëveshja mes Kastratit dhe koncesionarit është nënshkruar më 1 dhjetor 2020.
Në 2016 qeveria miratoi shtyrjen e marrëveshjes për koncesion e aeroportit të Rinasit.
Exit shkroi më parë se qeveria shqiptare negocioi me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit pa pasur asnjë vlerësim të mundësive dhe nevojave të vendit për ndërtimin e aeroporteve të reja, veçanërisht në jug të vendit.