Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte të hënën në jug të vendit ku lavdëroi punimet në rrugën Palasë-Dhërmi që po ndërtohet.
Ministrja tha se jugu i vendit është kthyer në një kantier gjigand që do t’i përgjigjet potencialit të zonës.
Tenderi për rrugën Palasë – Dhërmi është dhënë nga qeveria më 31 dhjetor 2020 ndërsa kontrata është firmosur më 3 shkurt të këtij viti.
Në garë për ndërtimin e rrugës ishin fillimisht 7 kompani, 6 prej të cilave u skualifikuan për çështje dokumentacioni.
Kompania “Gjikuria” u shpall fituese me një ofertë sa 96.5% e fondit limit ose 12.7 milionë euro.
Rruga është e gjatë 4.5 kilometra dhe 11.5 metra e gjerë. Ndërtimi i saj pritet të përfundojë në gusht të vitit 2022.
Kjo rrugë do të lidhet me tunelin e Llogarasë, projekt i cili ende nuk ka nisur nga puna.