Banaliteti propagandistik i njoftimit të Kryeministrit Rama

Banaliteti propagandistik i njoftimit të Kryeministrit Rama

“Presidenti Erdogan çmoi lart punën e Policisë së Shtetit shqiptar në luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës, suksesin e veçantë të Shqipërisë në reformën e energjisë, betejën për formalizimin e ekonomisë, si edhe në tërësi kurajën e qeverisë shqiptare për reformat e mëdha që e kanë futur Shqipërinë në rrugën e ndërtimit të një shteti serioz.”

“Tema e zhvillimit të sektorit të ujit zuri një vend të veçantë. Presidenti Erdogan e siguroi Kryeministrin për një mbështetje të posaçme me programe konkrete investimesh, qoftë për ujin e pijshëm dhe qoftë për ujitjen e kullimin në zonat bujqësore. Po ashtu u përcaktuan një sërë veprimesh konkrete për të fuqizuar infrastrukturën shëndetësore dhe arsimore përmes partneriteteve publike private.”

Kështu shkruhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrit Rama për takimin e djeshëm të tij me Presidentin turk Erdogan, nën titullin bombastik “Erdogan çmon reformat e mëdha në rrugën e ndërtimit të një shteti serioz.”

Nga njoftimi duket sikur Erdogan ka interes e dijeni të thellë programet dhe arritjet e qeverisë, gati në pothuajse nivelin e vetë Kryeministrit Rama. Të duket se Presidenti Erdogan gati i adhuron arritjet e Kryeminsitrit Rama. Të duket, gjithashtu, sikur Erdogan është një dashnor i madh i Shqipërisë dhe, ngaqë gjithashtu vlerëson Kryeministrin Rama, ka vendosur të bëjë bamirësi për ne.

E vërteta është ndryshe. Me shumë gjasa, në bisedë Kryeministri Rama i ka bërë një përmbledhje të atyre që ai i konsideron arritjeve të qeverisë shqiptare. Në fakt këtë bëjnë të gjithë kryeministrat shqiptarë prej 25 vjetësh, flasin deri në përzierje për sukseset e reformave të tyre të mëdha me çdo të huaj që takojnë. Pas kësaj përmbledhje, siç e do diplomacia e kortezia, Erdogan duhet ta ketë përshëndetur Ramën për gjitha arritjet për të cilat ai u vetëlëvdua.

Pastaj Kryeministri Rama duhet t’i ketë folur për reformat edhe më të mëdha që do të ndërmarrë dhe i ka kërkuar që bizneset turke të investojnë në Shqipëri. Natyrisht që Erdogan, përsëri për diplomaci dhe kortezi, i ka premtuar një mbështetje të përgjithshme pa thënë asgjë konkrete.

Ajo që mungon në njoftimin e Kryeministrisë është edhe pjesa më e rëndësishme e takimit. Erdogan me siguri që i ka folur Ramës në takim për interesat e tij personale dhe në përgjithësi të Turqisë në Shqipëri. Me siguri që ai i ka folur për bizneset turke, veçanërisht ato të dhëndrit të vet në Albtelecom e BKT, padyshim për Çalikun dhe problemet e kompanisë me ligjin dhe qeverinë shqiptare, për kompaninë e bakrit Beralb që pezullui aktivitetin në Shqipëri para një muaji, për spitalin turk që ka fituar tenderin e dializës, etj. Pa diskutim që Erdogan ka kërkuar mbështetje për këto kompani dhe zgjerimin e prezencës turke në vend. Me siguri ai ka kërkuar edhe mbështetje për gjëra të tjera në favor të interesave të tij personale dhe të biznesve turke.

Me shumë gjasa, bizneset dhe interesat ekonomike turke në Shqipëri kanë qënë interesi kyresor, në mos i vetmi i Erdoganit në takim dhe jo lavdet dhe mbështetja për Shqipërinë. Me shumë gjasa, shumica e thënieve në njoftimin e Kryeministrit Rama, rreth takimit, janë perifrazime të ekzagjeruara të fjalëve të mirësjelljes të Erdoganit.

Për më tepër, me shumë gjasa, si dhe në të shkuarën, Presidenti turk ka marrë në takim çdo gjë që ka kërkuar nga kryeministri jonë, kurse kryeministri jonë ka marrë dy foto që i postoi menjëherë online për të na treguar ne, qytetarëve të tij, se sa të madh dhe të suksesshëm e kemi Kryeministrin tonë.

Tradita e njoftimeve propagandistike vetëlëvduese, si kjo e fundit e Kryeministrit Rama, është traditë e trashëguar nga koha e komunizmit, kur udhëheqja komuniste shqiptare lëshonte në media çdo telegram apo mesazh diplomatik urimi si konfirmim i arritjeve legjendare të Enver Hoxhës e Shqipërisë nën udhëheqjen e tij. Kanë kaluar dekada që atëhere, por udhëheqësit tanë vazhdojnë të na njoftojnë për lëvdatat nga e gjithë bota për veprat e tyre heroike dhe qeverisjen e drejtë.

Ky është njoftimi i plotë për media i Presidentit turk për takimin me kryeminsitrin tonë:

“Presidenti Recep Tayyip Erdoğan priti sot Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në rezidencën Tarabya.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>