Katër anëtarë të bandës “Bajri”, të burgosur, kanë kallëzuar penalisht gjyqtaren e çështjes në gjykatën e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi, me akuzën “shpërdorim detyre”.
Safet Bajri, Ilir Bajri, Ismet Idrizi dhe Asmer Bilali prentendojnë se gjyqtarja Olldashi po mundohet t’i mbajë në burg me çdo kusht.
Trupa e gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me në krye gjyqtarën Olldashi ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës të Bajrave për të hequr masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë më 21 shtator 2018. Por të arrestuarit thonë se kanë kaluar 3 javë dhe ky vendim nuk është zbardhur ende dhe për pasojë nuk mund të ekzekutohet.
Safet Bajri u arrestua në Tiranë në shtator 2018, me kërkesë të autoriteteve belge. Në Belgjikë ai është dënuar dy herë, fillimisht, në vitin 2015 me 9 vjet burg, dhe pastaj në vitin 2017 me 13 vjet burg. Sipas policisë belge, Safet Bajri ka qenë njeriu që kontrollonte tregun e prostitucionit në Bruksel.
Ilir Bajri, vëllai i Safetit, Ismet Idrizi dhe Asmer Bilali u arrestuan më 6 shtator 2018, në Shkodër pas aksionit policor të koduar “Oaz”.
Aktiviteti i bandës “Bajri” shtrihej në Belgjikë, Holandë dhe Itali.