Bandat shqiptare po dominojnë trafikun e narkotikëve në Britaninë e Madhe duke u mbështetur kryesisht tek emigrantët e paligjshëm, që vijnë nga zonat rurale të veriut të vendit. Ky është përfundimi i një hulumtimi nga gazetarja Lindita Çela, e cila raporton për rrjetin ballkanik të gazetarisë hulumtuese BIRN duke sjellë të dhëna dhe raste specifike.
Bandat shqiptare vazhdojnë të jenë shqetësim për autoritetet britanike, pasi ato ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm mbi trafikimin e drogës. Edhe pse janë kryesisht në numër të vogël në raport me popullsinë e përgjithshme, ndikimi sipas zyrtarëve britanikë është i madh, pasi ata kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës nga Amerika Latine.
Pjesëtarët e këtyre bandave janë kryesisht nga zonat rurale të veriut të Shqipërisë. Ata shkojnë ilegalisht në Britani duke paguar deri në £10,000. Sipas hulumtimit të Çelës, “Britania e Madhe mbetet destinacion për rininë shqiptare nga veriu, pasi ata kanë lidhjet dhe njerëzit e tyre atje”.
Në katër vitet e fundit Çela shkruan se Britania e Madhe ka deportuar rreth 6, 200 shqiptarë, numër ky që sipas BIRN “përbën më të madhin e ndonjë shteti”. Nga 6, 200 të deportuarit pjesa më e madhe janë nga tre bashki të veriut: Shkodra, Kukësi dhe Dibra.
Çela sjell si rast shembullin e Kadri e Izmir Demës që u arrestuan në qershor 2016 së bashku me 7 shqiptarë të tjerë me akuzat për lidhje me trafikun e drogës. Ata u dënuan me nga tre vite e gjysmë heqje lirije.
Deri në vitin 2017 në burgjet britanike shlyenin dënime 726 shqiptarë, 572 më shumë se prej vitit 2010. Sipas ambasadës Britanike në Shqipëri, “60 deri në 70 për qind e të dënuarve” ishin nga tre bashkitë kryesore të veriut.
Në hulumtimin e kryer për BIRN, Çela përcjell shqetësimet e autoriteteve britanike sidomos për luftën e dobët të kryer nga autoritetet shqiptare ndaj pasurisë së ngritur nga aktiviteti kriminal i atjeshëm.
“Bashkimi Europian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet, ka qenë kritik në të kaluarën ndaj asaj që është perceptuar si dështim nga Shqipëria për të gjurmuar pasuritë e grupeve të krimit të organizuar dhe për faktin që po kapen vetëm peshqit e vegjël, por jo kokat e këtyre bandave” – shkruan Lindita Çela në hulumtimin e saj.