Banesat e fundit të hershme të Durrësit po humbasin vlerat historike

Nga Gëzim Kabashi
Banesat e fundit të hershme të Durrësit po humbasin vlerat historike

Në qytetin bregdetar ku shumë nga vilat e vjetra me arkitekturë italiane janë shembur për t’i hapur rrugë pallateve shumëkatëshe, ato pak ‘monumente’ të mbetura shpesh meremetohen pa respektuar trashëgiminë e tyre arkitekturore.

Banka Kombëtare Tregtare në Durrës i ka mbyllur dyert që prej tre vjetësh dhe po i nënshtrohet restaurimit.

“Është një vepër plot klas, një nga godinat më të tërheqëse në qytetin tonë,” thotë për BIRN, Fatmir Sila, i cili ka patur rast të vizitojë edhe mjediset e brendshme të saj, për shkak të profesionit si ekonomist. Por sipas tij duket e pashpjegueshme ngadalësia e punimeve, të cilët shpesh herë duket se bllokohen për periudha të gjata kohe.

Në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore mësohet se kohët e fundit kjo godinë ka marrë statusin “Monument kulture”, çka e ka vënë nën monitorim edhe procesin e rikonstruksionit aktual të saj.

“Por gjithçka kryhet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës,” tha një burim, që kërkoi të mos identifikohej, duke shtuar se kjo vepër arkitektonike afro një-shekullore, është pjesë e aseteve të BKT, ku shumicën e aksioneve i zotëron pala turke.

Ky nuk është i vetmi restaurim me një kohëzgjatje shumë-vjeçare në Durrës. Shumë pranë bulevardit “Epidamn”, që zbret nga bashkia drejt portit, banesa 184, edhe ajo e shpallur “Monument Kulture” vijon rikonstruksionin e nisur afro 10 vjet më parë.

Kjo është zona me numrin më të madh të banesave të hershme në Durrës. Shumica e tyre janë ndërtuar në vitet 1920-1930, atëherë kur një tërmet i fuqishëm shkatërroi një pjesë të qendrës së qytetit, duke i detyruar tregtarët e rinj të zbatonin planet e arkitektëve italianë.

“Këto vazhdojnë të jenë godinat më përfaqësuese për historinë e re të Durrësit,” tha për BIRN, Albert Doda, i cili tre vjet më parë ka restauruar një nga banesat e kësaj rruge dhe po e shfrytëzon si hotel.

Alberti e ndjen veten keq, kur sheh se një pjesë e bizneseve përkrah tij kanë filluar ti ndryshojnë pamjet e fasadave.

“Fasadat që i japin gjallëri bulevardit mjaft të populluar dhe që i përkasin periudhës italiane të paraluftës, tashmë janë bërë lara-lara nga ndërtues që diku përdorin mermerin e periudhës klasike dhe diku tjetër i shtojnë nga 2-3 kate godinave, si pa gjë të keq,” u ankua ai.

Pranë shkallëve që çojnë drejt Amfiteatrit antik, një tjetër biznes i ka prishur muret dhe dritaret, duke hapur vetrata të mëdha që nuk kanë asnjë lidhje me godinat 2-3-katëshe të të njëjtit stil.

“Mjafton një vendim qeverie, apo një rregullore e bashkisë së Durrësit për të bllokuar  të gjitha llojet e ndërhyrjeve në godinat me vlerë historike” shtoi Alberti, I cili vazhdon të shpresojë në një ndërhyrje shtetërore për ta ruajtur përmasën shekullore të qytetit.

“Në mesin e viteve 1990, funksiononte një shoqatë e biznesit të rrugës Tregtare,” ndërhyn Edi Shuka, duke iu kthyer kohës kur u bënë disa ndërhyrje pozitive në fasada dhe në kanatat e dritareve.

Nga viti 2017 deri tani në të dy anët e bulevardit me gjatësi 340 metra, që tani mban emrin e vjetër të Durrësit, rruga “Epidamn”, janë ngritur 8 hotele, ndërsa në 25 vjet ishin ngritur vetëm dy të tillë. “Po të funksiononte një shoqatë, do të merreshin edhe vendime të përbashkëta,” shtoi Shuka.

Bulevardi qendror, që çon nga Bashkia drejt hyrjes kryesore të portit, fatmirësisht e ruan ende integritetin e tij, gjë që nuk ndodh me vilat që ndodheshin pranë shëtitores Taulantia, apo disa të tjera që janë rrënuar paralelisht me muret mesjetare në “Rrugën e Vilës”. Vetëm dy javë njëra prej tyre është rrethuar me gardhin e ndërtuesve për tu kthyer në një pallat të ardhshëm.

Shumica e pronarëve të banesave shekullore në Durrës nuk i kanë rezistuar dot presionit të ndërtimeve.

“Godinat përfaqësuese me 2-3 kate të 80 apo 90 viteve më parë janë bërë shumë shpejt pre’ e valës së ndërtimeve që përfshiu qytetin,” thotë për BIRN urbanisti Agim Koçi.

Nëse asnjë nga këto ndërtesa nuk morri statusin “Monument kulture” ishte më e lehtë për ndërtuesit që ti vinin në shënjestër për ti kthyer në pallate shumëkatëshe. Vetë pronarët, që i kishin trashëguar nga paraardhësit e tyre, përpiqeshin të përfitonin sa më shumë sipërfaqe ndërtimi nga shumëkatëshet që do të ngriheshin mbi to.

Mjafton të shohësh zonën e plazhit, e cila trashëgonte nga ajo periudhë vilat e ndërtuara sipas planit rregullues në kohën e mbretërisë. Më shumë se 50 godina të tilla janë sakrifikuar duke i hapur rrugë pallateve, në territorin nga stabilimenti “Teuta” deri në “Iliria”.

Në jug të qytetit aktualishht kanë mbetur vetëm 3-4 vila, që dëshmojnë për mënyrën se si po organizohej plazhi i parë i Durrësit në mesin e viteve 1930: Dy radhë me banesa 1-2 katëshe, nga 500 metra katrore, me oborr më të madh se sa vetë ndërtimi.

Një projekt që mbeti i papërfunduar për shkak të shtetëzimeve masive që u kryen gjatë diktaturës, ndërsa tranzicioni i zgjatur e shndërroi sipërfaqen e gjelbëruar të mbjellë me vila në një lagje të shëmtuar pallatesh shumëkatëshe, që e ka fshehur plazhin pas shpinës së tij prej betoni.

Arjan Sala pasi rezistoi për gati tre dekada, duke e ruajtur vilën e gjyshit të tij pranë stacionit “Apollonia” u detyrua ta këmbejë atë me apartamentet dhe dyqanin, që janë pjesë e pallatit disakatësh mbi pronën e tij.

“Ndërtuan të gjithë rreth e qark meje, dhe vila e gjyshit tim mbeti si një gropë, ku fqinjët mund të hidhnin gjithçka,” ankohet Arjani, i cili ende nuk ndjehet i bindur për vendimin e pakthyeshëm që ka marrë.

Botuar më parë te Reporter.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>