Bankers fiton gjyqin me qeverinë dhe vazhdon të paguajë zero taksa

Bankers fiton gjyqin me qeverinë dhe vazhdon të paguajë zero taksa

Kompania më e madhe në vend, Bankers Petrolium, nuk i detyrohet asnjë taksë qeverisë shqiptare dhe qeveria duhet t’i kthejë kompanisë rreth 37 milionë euro taksa të marra padrejtësisht.

Ky është vendimi përfundimtar i audituesit ndërkombëtar të kontraktuar nga Bankers dhe qeveria për vlerësimin e detyrimeve tatimore të kompanisë, të cilat ishin bërë shkak i një konflikti mes tyre.

Një vit më parë, pas disa kontrollesh të kmpanisë, qeveria e akuzoi bankers për fryrje fiktive të shpenzimeve dhe investimeve, me qëllim uljen e fitimit të deklaruar të kompanisë dhe shmangien e tatimit mbi fitimin.

Qeveria pretendoi se Bankers kishte deklaruar mbi 300 milionë dollarë shpenzime fiktive, mbas zvritjes së të cilave kompania duhet t’i paguante qeverisë 57 milionë dollarë në taksa.

Kompania e kundërshtoi pretendimin e qeverisë dhe nuk pranoi të paguante taksat e pretenduara, Si rezultat qeveria bllokoi llogaritë bankare të kompanisë, duke paralizuar kështu aktivitetin e saj. Vendimi i bllokimit u ankimua në gjykatë nga Bankers, por Gjykata e Apelit e quajti të ligjshëm vendimin e qeverisë për të bllokuar llogaritë banakre.

Bankers petrolium iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar, i cili i kërkoi qeverisë të zhbllokojë llogaritë bankare të Bankers, deri sa të merret vendimi përfundimtar. Qeveria nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vazhdoi t’i mbajë të bllokuara llogaritë.

Ndeshur me humbje të ndjeshme nga bllokimi i aktivitetit tregtar, Bankers arriti një marrëveshje me qeverinë, sipas së cilës, Bankers do të tërhiqte padinë në gjykatën e arbitraritetit dhe do të pajtonin një auditues ndërkombëtar, vendimi i të cilit do të ishte përfundimtar dhe do të pranohej nga palët.

Kompania pranoi, gjithashtu, të fillojë të paguajë me këste detyrimin tatimor të pretenduar nga qeveria, në shkëmbim të të cilit qeveria zhbllokoi llogaritë e saj bankare.

Fillimisht bankes pagoi 10 për qind të detyrimit, pra 5,7 milionë dollarë dhe pastaj 4,3 milionë dollarë për çdo muaj, duke arritur deri më sot të shlyente  37 milionë dollarë në total.

Vendimi i auditorit rrëzon përfundimisht pretendimin e qeverisë që do të thotë se Bankers nuk ka asnjë detyrim tatimor. Si rezultat, qeveria duhet t’i kthejë Bankers shumën prej 37 milionë dollarë të cilat, sipas vendimit të auditit, i janë marrë kompanisë në mënyrë të padrejtë nga qeveria.

Kjo do të thotë se mbas gati 12 vjetësh shfrytëzim të naftës së vendit, Bankers Petrolium—kompania më e madhe në vend, me të ardhura vjetore mbi gjysëm miliardë euro—vazhdon të mos paguajë asnjë taksë.

Marrëveshja e koncesionit i njeh Bankers përjashtimin nga tatimi për fitimin e të gjitha fitimeve që ajo i ri-investon. Deri më sot kompania ka deklaruar se investimet e saj janë më të mëdha se fitimet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>