Banorët të Kukësit e aktivistë janë mbledhur sot në qendër të qytetit për të protestuar kundër vendosjes së tarifave në Rrugën e Kombit.
Aktivisti Auron Kalaja tha se kjo protestë është vetëm fillimi i një lufte të gjatë kundër vjedhjes së qytetarëve nga kompania koncesionare Kastrati dhe qeveria Rama.
Aktivisti Kalaja u shpreh se destinacioni i protestës nga në sportelet e Kastratit në Rrugën e Kombit, u zhvendos në qëndër të qytetit pasi forcat e shumta të policisë që po qarkullojnë në Kukës kanë frikësuar qytetarët:
“Kjo protest është për të shkulur traun që ndan Shqipërinë nga Kosova. Kukësi ka qenë në shtet-rrethim këto ditë. Qytetarët janë intimiduar, ka qenë një klimë terrori.”
Të njëjtin denoncim bëri dhe deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj, i cili me anë të një videoje, tregoi forcat e shumta të policisë që qarkullonin në qytetin e Kukësit.
Po ashtu, në rrugën nga Tirana drejt Kukësit, sot ka pasur të paktën 10 posto-blloqe policie dhe forca të shumta RENEA.
Që prej mesnatës së 17 shtatorit, çdo qytetar që kalon në rrugën e Kombit do të paguajë tarifën prej 5 euro për çdo kalim — përjashtohen nga kjo tarifë banorët e Kukësit, të cilët deri në 44 kalime do paguajnë 100 lekë për kalim dhe pas 44 kalimesh tarifën normale prej 5 urosh.
Për mbledhjen e tarifës, kompania Kastrati ka ndërtuar 10 sportele, të cilat sot janë rrethuar nga Forcat Speciale, për të ndaluar protestuesit.