Dhjetra banorë në Vorë kanë protestuar të premten kundër ndërtimit të një rrugë, projekti i së cilës prek 70 ndërtesa dhe një lulishte në qendër të Vorës.
Banorët shprehen se nuk kanë vënë në dijeni nga bashkia për projektin dhe për prishjen e objekteve, mes të cilave ka biznese dhe shtëpi.
Të irrituar, banorët thonë se nuk do t’i lënë punonjësit e firmës private që të vazhdojnë punën:
“Ata do prishin jo vetëm lulishten por dhe objekte të tjera. Prishet qendra e Vorës. S’dimë asgjë. Nuk na kanë njoftuar fare që do bëhet rrugë. Ne shohim punëtorët e firmës, duke vënë piketat,” u shpreh një prej tyre.
Ata u shprehën të vendosur për të mos lejuar bashkinë të vazhdojë punimet për ndërtimin e rrugës.
Banorët e Vorës kanë kundërshtuar më parë dhe ‘planin për rindërtimin’ e zonës pas dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Banorët janë të shqetësuar se pas planit të rindërtimit fshihen afera korruptive dhe se banorëve nuk i është dhënë asnjë shpjegim se përse duhet të prishen ndërtesa të padëmtura, si do të dëmshëprblehen qytetarët dhe ku do të qëndrojnë ato deri sa të ndërtohen godinat e reja.