Autoritetet italiane sekuestruan të enjten 18 tonë mbetje pajisjesh elektroshtëpiake, të cilat kishin si destinacion Shqipërinë.
Ngarkesa prej rreth 300 lavatriçesh dhe sobash të prishura ishte vendosur në një kamion me targa bullgare dhe u kap në portin e Barit përpara se të nisej për në Durrës.
Mbeturinat ishin deklaruar si pajisje funksionale të ripërdorshme. Pas kontrollit rezultoi e kundërta.
Mediat lokale në Bari raportojnë se ngarkesa prej 18 tonësh është sekuestruar ndërsa drejtuesi i kamionit është vënë nën hetim.
Një muaj më parë autoritetet italiane kapën me të njëjtën skemë 25 tonë mbeturina pajisjesh elektroshtëpiake.
Ngarkesa po përpiqej të transportohej nga porti i Ankonës, rreth 500 kilometra në veri të Barit.
Nuk është e qartë nëse rastet kanë lidhje me njëra-tjetrën, por në të njëjtën periudhë në Vlorë u kapën dhjetëra fuçi dhe thasë të mbushur me azbest, mbetje e rrezikshme.