Basha akuzon qeverinë për masa gjysmake ndaj zjarreve

Nga Exit News
Basha akuzon qeverinë për masa gjysmake ndaj zjarreve

Kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi të martën qeverinë për masa gjysmake per shuarjen e vatrave të zjarrit në vend.

Ai shprehu ngushëllime familjes së të moshuarit nga fshati Asim Vokshi i Gjirokastrës, i cili humbi jetën si pasojë e flakëve.

“Masat gjysmake te qeverisë nuk e kanë normalizuar dot situatën alarmante të shkaktuar nga zjarret e ditëve te fundit në vend,” shkruan Basha në një postim në rrjetin Facebook.

Ai shtoi se pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve, ashtu si në kohën e tërmetit, qeveria dhe emergjencat civile nuk kanë mjete për të përballuar katastrofat natyrore.

“Pavarësisht paralajmërimeve të qytetarëve dhe medias, në shumë zona zjarret vijojnë prej ditësh, ndërsa angazhimi i vetëm i qeverisë ka qenë përpjekje me mjete rrethanore të papërshtatshme dhe servirja e videove te zyrës së propagandës,” vijoi Basha.

Ai u bëri thirrje forcave të emergjencës të evakuojnë qytetarët nga zonat e prekura nga zjarri.

Situata e zjarreve në vend u rëndua më tej 24 orë pasi qeveria deklaroi se situata ishte nën kontroll, duke propaganduar përdorimin e një avioni për shuarjen e flakëve, pas kritikave për mungesë të mjeteve e kapaciteteve kundër zjarreve.

KLSH ndërkohë ka nisur një auditim të institucioneve përgjegjëse ku do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

LEXO  Rama i vendosur për zgjedhje më 30 qershor, Basha i vendosur për të vazhduar me protestat

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme