Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi të dielën zgjedhjen e Këshillin Kombëtar të partisë.
“Keni besimin e demokrateve dhe demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie,” shkruan Basha në një status në rrjetin Facebook.
Duke folur për përbërjen e Këshillit, Basha përmendi kalimthi atë që, ka gjasa të jetë projekti i ri i opozitës, të cilit iu referua si Platforma Qytetare për Demokracinë.
Ai u shpreh se Këshilli do të jetë një urë me shoqërinë “për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë”
Basha nuk dha detaje të tjera rreth platformës, por shtoi se PD-ja ishte shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim.
Partia Demokratike ka shpallur listën fituese të anëtarëve për Këshillin Kombëtar, në të cilën janë 338 anëtarë.