Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncoi sot gjendjen alarmante në të cilën gjendet vendi, ku si rezultat i bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, drejtësia është kapur, siguria është në rrezik dhe ekonomia është në krizë.
Disa nga deklaratat kryesore të tij janë:
Për reformën zgjedhore:
Nuk do të ketë as bashkëqeverisje me Edi Ramën, as pakt, as pakt për reformën zgjedhore, pa i dhënë zgjidhje situatës katastrofike ku ndodhet vendi.
Nuk do të ketë pakt tjetër politik Rama- Basha. Nuk do të ketë bashkëqeverisje PD-PS. Synimi është ti japim fund një qeverie të lidhur me krimin. Pa i dhënë zgjidhje këtij problemi gjithçka ka ndodhur këto javë do të ndodhë edhe më keq.
Për ligjin e Teatrit Kombëtar:
Rama të tërheqë ligjin “Fusha”. Të mos i shkojë në mendje ta sjellë në seancë. Do të jetë shpallje e konfrontimit dhe e përplasjes civile. Rama ta ketë vath në vesh, të mos kalojë vijën e kuqe pasi gjithçka pastaj do të jetë në dorë të njerëzve.
Lidhjet e qeverisë me krimin:
Dje bandat kanë ndërmarrë një akt të paprecedentë ndaj koleges suaj Klodiana Lala. I turpshëm dhe i neveritshëm është reagimi i Prokurorisë, që në vend të deklaratave inkurajuese, duhet të fillojë hetimin gjithpërfshirës se nuk ka njeri në Ballkan e Europë që nuk e kupton se kjo ndodh kur qeveria bashkëqeveris me krimin.
Pas këtij akti kriminal qëndron bashkëqeverija e Ramës me krimin. Denoncimi i fundit i kësaj gazetareje ishte lidhja e Çurbjes me bandat. Në Kuvend duhet të kishte mbërritur kërkesa për arrestimin e Çyrbjes.
Mos kujtoni se bandat kriminale e kanë anëtarësimin me tesara apo bordero, por është me bashkëpunim. Krimi e kupton syshkeljen nga pushteti. Krimi nuk pret ta marrë në telefon Edi Rama, por mjafton syshkelja e krimi të marrë armën e të qëllojë drejt tyre.
Në Shkodër, bandat si ajo e Bajrave, rrëmben e përdhunon dhe shoqërohet me furgon Policie. Më vjen keq që një pjesë e mediave e kanë censuruar. Por kur kryeministrin e kanë në xhep, ato sundojnë.
Bandat sundojnë Elbasanin ku sot kanë Policinë dhe me gjithë premtimet e mëdha, asnjë nga bandat nuk ka përfunduar prapa hekurave se e kanë për krenari lidhjen me pushtetin.
Prioriteti i parë i imi dhe i PD-së mbetet shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë, se pa i dhënë zgjidhje politike problemit gjithçka që ka ndodhur këto kohë do të ndodhë edhe më keq. Asgjë nuk ka për të ndryshuar për mirë asnjë reformë, sado e mirë në letër, sa kohë që vendi qeveriset në aleancë me krimin.
Për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi:
E mbështesim dialogun për të çuar në normalizimin e mardhënieve Prishtinë – Beograd drejt anëtaresimit të plotë të Kosovës në BE dhe në NATO.
Ne i qëndrojmë pranë çdo përpjekje për dialogun në Kosovë dhe duke mbeshtetur sovrantitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.