
Kreu i PD-së, Lulzim Basha përgënjeshtroi të mërkurën deklaratat e Sali Berishës se ishte peng i kryeminsitrit Rama.
“Për tetë vite më radhë Rama më ka akuzuar si kukull e Berishës, tani ai më akuzon si peng i Ramës. Asnjëra nuk është e vërtetë. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë,” deklaroi Basha, në një prononcim për gazetarët para selisë së PD-së.
Ai rikonfirmoi qëndrimin se nuk ka për të patur në PD referendum kundër vendimeve të SHBA-ve.
“Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur,” u shpreh Basha.
Basha tha se lufta ishte me qeverinë Rama dhe se ai do t’i printe “betejës popullore” për ndryshim.
Një ditë më parë, ish-kreu i PD-së Berisha akuzoi Bashën për marrëveshje me Edi Ramën dhe se të dy komunikojnë me kode.