“Është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për ‘përfshirje në raste të mëdha korrupsioni’. Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni”. Kështu u shpreh Kryetari i PD-së Lulzim Basha, pas lajmit se DASH i ka ndaluar hyrjen në ShBA, Vangjush Dakos dhe familjes së tij.
Në reagimin e tij, Basha thotë se:
Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit te organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vangjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit.
Është lajm i keq që Vangjush Dako ka si mburojë paprekshmërie nga drejtësia kryeministrin e vendit, Edi Rama. Veprat e mëdha të korrupsionit janë bërë nën mbrojtjen, me dijeninë dhe për përfitimin e Edi Ramës. Është Edi Rama ai që e mbron Vangjush Dakon apo siç e quajnë miqtë e tij, bankomatin personal të parave të pista të Edi Ramës.
Përpara ligjit dhe Kushtetutës, Edi Rama zgjodhi gjithmonë Dakon, edhe kur gazeta gjermane BILD tregoi bashkëpunimin direkt me krimin e organizuar për të blerë zgjedhjet në 2017. Edi Rama i mbron kriminelët e tij, brenda dhe jashtë politikës, sepse ai e ka të qartë se as nuk e merr dhe as nuk e mban dot pushtetin pa krimin.
Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët vjedh çdo ditë shqiptarët.
Lajmi u publikua sot nga Zëri i Amerikës, që citoi si burim vendimin e marrë nga Sekretari i amerikani Shtetit. Arsyeja për ndalimin e hyrjes në SHBA është “përfshirja në raste madhore korrupsioni.”