Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu përgjigjën ftesës së aktorit Leonardo di Caprio për të mbrojtur Lumin Vjosa.
Basha ka shpërndarë postimin e di Caprios në Instagram, në të cilin bëhet thirrje për të shpallur Vjosën Park Kombëtar.
Ndërsa presidenti Ilir Meta i është përgjigjur thirrjes së di Caprios në Tëitter.
Ai ka shkruar se “e duam Vjosën dhe përgjithmonë do ta mbrojmë! Faleminderit dhe mirënjohje Leonardo DiCaprio për solidarizimin frymëzues”.
“Jemi të vendosur, që deri më 25 prill, të mos lejojmë me mjete demokratike çdo vendimmarrje arbitrare për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa”, është shprehur Meta.
Leonardo di Caprio i kërkoi politikës shqiptare që të mbështesë kthimin e Vjosës në Park Kombëtar.
Di Caprio ka shpërndarë një video të lumit Vjosa në Instagram dhe u kërkon të gjithëve ta shpërndajnë dhe ka etiketuar në postim Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën. Të njëjtën gjë kërkon dhe nga të tjerët.
Deri më tani nuk ka pasur reagim nga Kryemadhi dhe nga Rama.
Lumi Vjosa është lumi më i madh i egër në Europë.
Parlamenti Europian ka nxitur autoritetet shqiptare të krijojnë sa më shpejt të jetë e mundur Parkun Kombëtar Vjosa, duke shtrirë tërë gjatësinë e lumit.
Besjana Guri përfaqësuese e EcoAlania tha të hënën në emisionin “Me pak Fjalë” se “lugina e Vjosës nuk gëzon asnjë status mbrojtjeje nga qeveria”.
Ajo bëri apel për shpalljen e luginës park kombëtar për ta mbrojtur nga ndërtimi i HEC-eve.
Përgjatë Vjosës, janë planifikuar 8 diga ndërsa 23 HEC-e të vegjël në degët e saj. Megjithatë dy hidrocentrale janë rreziku kryesor i Vjosës, i Poçemit dhe Kalivaçit të cilët janë me diga dhe që krijojnë rezervuarë të mëdhenj duke përmbytur shumë hapësira përqark dhe duke ndryshuar përfundimisht gjithë rrjedhën e Vjosës, të paktën rrjedhën e mesme dhe të poshtme.