Vizita e kryeministrit Edi Rama dhe e kreut të PD Lulzim Basha në Elbasan ka shkaktuar përplasje mes tyre.
Ata mbërritën në Elbasan në të njëjtën orë për të prezantuar kandidatët e listës zgjedhore dhe për të uruar ditën e verës.
Kur mbërriti Rama në Elbasan pati thirrje nga qytetarët “Rama ik”.
Pas kësaj Basha dhe Rama kanë akuzuar njëri tjetrin të dielën.
Basha u shpreh se Rama ka ardhur i shoqëruar nga bandat e Elbasanit.
“Rama e sheh qeverinë si një tortë ta ndaj me bandat. Ne do t’ia kthejmë vendin qytetarëve”, tha Basha nga Elbasani.
“Pas takimit u vonova pak sepse më thanë se kishte pasur një incident. Unë do të vazhdoj me axhendën time dhe nuk do të ndaloj sepse Shqipëria ka ndaluar boll për 8 vite. Kështu që më ndiqni”, tha kreu i PD.
Basha tha se Elbasani për një kohë shumë të gjatë është “mbajtur në vend numëro, nga ushtruesit e dhunës sot, nga bandat e Elbasanit që me pistoletë në brez shoqëronin kryeministrin në ikje”.
“Nuk ka shans që Edi Rama dhe bandat e tij ta mbajnë peng Elbasanin. Ju uroj nga zemra Gëzuar Ditën e Verës”, tha Basha.
Ndërsa kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në Twitter e quajti “një shfaqje vulgare që tregon degradimin e opozitës”.
Raportohet se ka pasur edhe të shoqëruar në polici pas incidentit që ka ndodhur mes simpatizantëve të PS dhe PD.