Basha diskuton me gazetarët për problemet e medias

Basha diskuton me gazetarët për problemet e medias

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha organizoi sot një tryezë me gazetarët për të folur për lirinë e medias.

Disa prej shqetësimeve kryesore të ngritura prej gazetarëve ishin bullizmi ndaj gazetarëve, blerja e mediave apo fenomeni i “kasetave të gatshme” ku media nuk lejohet të marrë pjesë në aktivitetet e qeverisë apo opozitës por filmimet bëhen nga regjitë e kryeministrisë, bashkisë apo opozitës e më pas shpërndahen të gatshme në media.

Kështu disa prej temat kryesore të diskutuara nga gazetarët ishin:

Gazetari Ylli Rakipi:

“Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri i vendit, bullisti më i madh në botë të bëjë etiketime të kadrinjve, kazanëve e derrave.

Portalet janë një lindje e vështirë për shkak se median klasike e ka rrëmbyer qeveria me të gjitha mënyrat që ne i dimë por nuk ka rast në botë që qeveria të ndërtojë median e vet online paralel dhe më të fortë dhe të paguajë para në portale. Qeveria – paralel nisi me ERTV, asnjë diktator nuk e bën – dhe vijoi me blerjen masive të mediave online sepse britma është për këto media.

Nuk kini pse të cuditeni pse Edi Rama ka marrë stafetën dhe e ka bërë një mijë herë më baltë se dje. Unë kam frikën se nëse ju do vini nesër mund të bëni të njëjtat gabime.”

Gazetari Armand Shkullaku:

“Modeli  i mëparshëm i PS, deri kur në pushtet erdhi ‘ky figura’, ka qenë ndryshe, sepse lejoheshin kamerat dhe gazetarët që të ndiqnin personalisht debate të nxehta dhe të kishin mundësi të bënin verifikimet dhe raportimet siç duhet. Tani na sjellin kasetat e gatshme. Në të gjitha takimet elektorale, takimet politike, mbledhjet dhe organizimet që zhvillohen nga partitë ne nuk kemi mundësi të informohemi nga gazetarët tanë. Kronikat dhe lajmet vijnë të gatshme.Të lejohen gazetarët të bëjnë pyetje, të lejohen kamerat të shohim sa njerëz takon Lulzim Basha.”

Ndërkohë Zoti Basha ftoi gazetarët të marrin pjesë në aktivitetet e Partisë Demokratike duke i siguruar ata se aktivitetet do të jenë të hapura dhe transparente me median dhe se regjia e PD nuk do të jetë i vetmi burim:

“Në dijeninë time askush nuk ka penguar ndjekjen e aktiviteteve të opozitës, por nëqoftëse është kështu, le ta bëjë reflektimin sot dhe publikisht para të gjithëve. Absolutisht, në asnjë aktivitet publik timin si kryetar i opozitës, apo të bashkëpunëtorëve të mi, nuk ka për të pasur asnjë, të kufizim të pranisë mediatike. Unë e di se aktivitetet e mia janë transmetuar live në Facebook plota, pa prerje, nuk është prerë as fillimi, as fundi. Megjithatë, për t’ju përgjigjur një kërkese konkrete të ngritur sot, po ju them sot se asnjë kufizim nuk do të ketë në asnjë ngjarje politike të Partisë Demokratike, në veçanti timen si kryetar i Partisë Demokratike.”

Zoti Basha po ashtu i kërkoi gazetarëve që përtej trysninë që kanë, të bëjnë më shumë hulumtime e investigime dhe të luajnë rolin që medias i takon në denoncimin e shkeljeve të ligjit:

“Problemi kryesor që në shohim në raport me median është pamundësia apo paaftësia për të pasqyruar probleme të thella të shoqërisë, ekonomisë e politikës. Kjo i  kthen në kronikan sipërfaqësor, në vend që të luajnë rol të rëndësishëm sic është ai i hulumtimit. Duhet të denoncojë politika që ta japë media. Na akuzojnë se jemi bërë ne si media, për të plotësuar një boshllëk të lënë prej saj. Rol më të madh kanë luajtur mediat e vogla, portalet online, se sa mediat e mëdha dhe të rëndësishme.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>