Basha: Do hetojmë çdo PPP klienteliste, Rama e ka kthyer korrupsionin në normë

Basha: Do hetojmë çdo PPP klienteliste, Rama e ka kthyer korrupsionin në normë

Kryetari i Partisë Demokratike Luzlim Basha deklaroi sot se qeveria e tij do të hetojë çdo koncesion dhe PPP dhënë në mënyrë klienteliste nga Kryeministri Rama.

Duke folur në Kongresin e 7-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Zoti Basha u shpreh:

“Është prioritet kombëtar dhe emergjencë absolute për PD-në që ditën e parë në pushtet do verë në lëvizje një plan kombëtar për hetimin e çdo afere korruptive të maskuar si PPP apo koncesion. Gjithsecila prej tyre do të trajtohet si vepër e dyshuar kriminale.

Ne do të ndjekim paranë publike kudo që ajo të jetë devijuar. Ne do vëmë para drejtësisë çdo zyrtar përfshirë në këto skema korruptive nga juristi më i thjeshtë tek kryeministri dhe çdo person privat.

Do t’i japim fund koncesioneve korruptive dhe çdo qindarkë që shkon për oligarkët dhe pushtetarët, do ta çojmë për rritjen e pagave, pensioneve dhe për të investuar për të ardhmen e fëmijëve tanë.”

Zoti Basha akuzoi kryeministrin Rama se po shpërndan pasuritë publike tek një grusht oligarkësh përmes PPP-ve të paligjshme, mekosto të fryra dhe në mungesë të plotë transparence:

“Politika e PPP-ve që është një vjedhje me ligj është sanksionimi me ligj i devijimit të qindra milionë euro të taksave të marra nga punëmarrësit, nga bizneset, zhvatja e shumicës së shqiptarëve për tia dhënë këto para një grushti oligarkësh për ti ndarë me një grusht politikanësh.”

Kreu i opozitës shprehu shqetësimin e tij dhe për problemet që hasin çdo ditë punëtorët me kushtet e punës, mungesën e investimeve dhe me aksidentet që vetëm në 6 muajt e fundit i kanë marrë jetën 25 punëtorë. Basha tha se shkaku kryesor për këto probleme është korrupsioni:

“Vetëm në 6 muajt e fundit media ka raportuar 25 familjarë që kanë humbur jetën nga aksidentetet në punë. Numri i përgjegjësve zero, masa të marra zero.

Babëzia, shpërfillja e zhvesh njeriu nga vlerat më njerëzore.

Numri i aksidenteve në punë është më i lartë se sa raportohen në media. Problemi kryesor i mungesës së kushteve, problemi i pandëshkueshmërisë, i mosinvestimit në kushtet e sigurisë është korrupsioni.”

Zoti Basha akuzoi qeverinë se në vend që ta luftonte korrupsionin, qeveria Rama e ka kthyer atë në normë:

“Në ekonominë tonë të shkatërruar, me zgjedhjet tona farsë, me drejtësinë inekzistente, me krimin dhe bandat, ëndrrat për BE në vend që të afrohen largohen çdo ditë. Kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë dështuar. Në vend të zgjidhjeve ky kryeministër sjell më shumë probleme. Në vend të luftës kundër korrupsionit, e ka kthyer korrupsionin në normë.”

Zoti Basha i kërkoi qytetarëve që të bashkohen me opozitën për t’i dhënë fund qeverisjes së Ramës, pasi ‘bashkimi për kauzat e drejta, me PD dhe opozitën e bashkuar është çelësi, forca dhe shpresa për të pashmangshmen dhe se këto janë ditët e fundit të sprapsjes së qeverisë antipopullore’.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>