Basha është pas

Nga Redaksia
Basha është pas

Sot, një sërë mediash raportuan se udhëheqësi opozitar Lulzim Basha, dje në mbrëmje në emisionin Opinion, kishte deklaruar se PD është pas protestave kundër këndit të lojrave në Parkun e Liqenit.

Duke e marrë të mirëqenë, pa e verefikuar vërtetësinë e këtij raportimi, redaksia jonë përgatiti komentin e mëposhtëm 

Basha pas protestës së Parkut?

E vetmja gjë e vërtetë në deklaratën e Zotit Lulzim Basha është që PD është “pas”, por ai duket se nuk e ka kuptuar ende se “pas” kujt është.

Pohimi i Bashës u përcoll nga shumica e mediave, duke përmbushur qëllimin për të cilin u tha: të bindë shqiptarët që diskutimi, sfida, përpjekja në Shqipëri është përherë duel—Rama kundër Bashës, Basha kundër Ramës, PD kundër PS, PS kundër PD, shitur, nga secila palë, si luftë e të mirës së madhe ndaj të keqës së madhe.

Përpjekja e PD-së së Bashës për të përvetësuar protestën e Parkut, në fakt, gjeti aleat natyral PS-në e Ramës dhe Veliajt, të cilët i quajtën protestuesit si vandalë të dërguar nga PD.

Të dy krahët kërkojnë të mbrojnë duopolin—në fakt monopolin e pushtetit të ushtruar me rradhë—dhe të veprojnë me sistemin “sot unë, nesër ti”, duke mos dashur të lëshojnë asnjë hapësirë për ndonjë subjekt të tretë, duke garantuar kështu, reciprokisht, postet në përjetësi.

Kur PD qeveris, miraton vjedhjet e PS-së; kur PS qeveris, miraton ato të PD-së—palët këmbejnë vëndet duke bërtitur kundër qeverisë së korruptuar, dhe kur ju vjen rradha të bëjnë drejtësinë e premtuar, justifikohen se firma është e të korruptuarit që shkoi dhe ata nuk kanë se çfarë të bëjnë edhe pse do donin ta çbënin.

Kështu erdhi në jetë Pallati 13 katësh që po ndërtohet përballë Fakultetit Ekonomik; kështu lindi alternativa e vjedhjes urbanistike në hyrje të parkut; apo pallati poshtë digës së liqenit; si dhe shumë vjedhje të tjera në të gjithë territorin e vendit.

Kjo komedi PS-PD i ka shteruar, tashmë, të gjitha burimet ekonomike dhe morale të vendit. Por atëhere dhe atje ku kalbet e dekompozohet një sistem, në atë vend dhe kohë lind diçka e re: nga dekompozimi i sistemit dual PS-PD lindi protesta e Parkut, nga një grup qytetarësh gjithmonë e më shumë të vuajtur nga klima politike, ekonomike e sociale që është krijuar në Shqipëri gjatë 25 viteve të fundit. Ata nisën të vetëm, marshimin përpara, të lodhur nga pritja e gjatë që politika të prodhojë progres e mirëqenie.

Prandaj, është e vërtetë që Basha është pas, sepse të tjerët janë përpara tij. Basha është pas sepse nuk ka kurajo të prijë, “të vendosë gjoksin përpara mitralozëve armiq.”

Historia e njerëzimit dëshmon se, atëhere kur sistemet shoqërorë janë në rënie, kryetarët çojnë në luftë ndjekësit. Udhëheqësi i njerëzve, drejtuesi i vërtetë, kur niset në luftë, jep i pari shembullin për njerëzit e tij—drejton trupat dhe qëndron përpara tyre.

Komandanti i Kavalerisë së Savojës që komandoi sulmin e fundit mbi mitralozët e vendosur në krye të një fushë misri në Ukrainë, kërkoi përpara sulmit t’i sillnin dorashkat e bardha, “sepse, armiku duhet ta shohë mirë se kush komandon.”

Ndërsa, Basha kur i vesh dorashkat e bën vetëm për të mos lënë gjurmë.

Para se ta botonim editorialin verifikuam deklaratën e Zotit Basha. Zbuluam se, në fakt, Zoti Basha kishte qënë korrekt dhe kishte pranuar se PD nuk kishte lidhje me protestën e shoqërisë civile, por si parti opozitare ajo mbështet çdo protestë.

Dikush, për të bërë zhurmë, ose ndoshta për të nxitur më shumë keqkuptime dhe pakënaqësi e kishte shtrëmbëruar në mënyrë të qëllimshme dhe fallce deklaratën e tij.

Për këtë arsye, fillimisht vendosëm të mos e botonim editorialin, por pastaj ndryshuam mëndje. Megjithëse premisa nga morëm nxitjen qe e rremë, përmbajtja e artikullit, në mendimin tonë, është e drejtë: Basha është pas.

Artikuj të lidhur:

As pitbullë, as vandalë, por qytetarë që nuk duan më të jenë shërbëtorë

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>