Basha fton shqiptarët të hanë bugaçe Elbasani në mëngjes për të rimëkëmbur ekonominë

Nga Alba Mborja
Basha fton shqiptarët të hanë bugaçe Elbasani në mëngjes për të rimëkëmbur ekonominë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në kuadër të turit të tij për ekonominë, ishte të hënën në mëngjes në Elbasan, ku hyri në kuzhinën e një dyqani bugaçesh—ushqim i shpejtë tradicional i Elbasanit i përgatitur me petë brumi të pjekura dhe zhytura në gjalp që futen brenda një panine, që quhet simite.

Zoti Basha zbuloi për qytetarët shqiptarë se zakonisht ai çon njerëz të tjerë në Elbasan për t’i blerë bugaçe, por sot kishte vendosur për të shkuar për ta blerë vetë bugaçen në Elbasan.

Nga brenda kuzhinës, me të zonjën e dyqanit që përgatiste bugaçe në sfond, Basha ka shpjeguar lidhjen e tij formative me bugaçen.

Fillimsiht, basha e kishte shpërfillur bugaçen, prandaj, gjatë kohës që punonte në Kosovë dhe ndalonte në Elbasan rrugës për në Tiranë, ai hante byrekë ,por jo bugaçe.

Vlerat e bugaçes Basha u shpreh se i zbuloi gjatë fushatës për deputet në Elbasan, në vitin 2009, dhe mendohet se që atëhere ai ha bugaçe dhe jo byrekë sa herë është në Elbasan.

Duke demonstruar një njohje të mirë të fushës së bugaçes, kryedemokrati ka shpjeguar se “bugaçja e famshme e Elbasanit” është “specialitet i këtij qyteti, tipik”.

Ai ka shtuar se bugaçja është njëkohësisht “kruasanti i Shqipërisë”, duke informuar për herë të parë qytetarët shqiptarë se bugaçja “ka të njejtët përbërës si kruasanti, dhe në veçanti gjalpin që i shtihet me shumicë, gjalp i shkrim”.

Basha ka shpjeguar, gjithashtu, se bugaçja “realisht gatuhet në orët e para të mëngjesit” dhe hahet po realisht në mëngjes, dhe se në orën 12 fiks në Elbasan nuk ka më bugaçe.

Ndoshta me qëllimin për rimëkëmbjen e ekonomisë, Basha ka ftuar të gjithë Shqiptarët që të shkojnë në Elbasan për bugaçe dhe ta hanë atë “veçanërisht në orët e para të ditës”.

Në fund të mesazhit, Basha ka biseduar me të zonjën e dyqanit rreth gjalpit për bërjen e bugaçes. Zonja ka deklaruar se ajo përdor vetëm gjalp Polisi, duke theksuar se gjalpi i Polisit është gjalp i pastër, pasi fshatarët e Polisit nuk i kanë mësuar ende hilet dhe nuk e përzjejnë gjalpin me gjëra të tjera.

Më poshtë është video e plotë e fjalimit të Bashës për bugaçen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>