
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi sot se opozita e bashkuar është gati të jetë pjesë e diskutimeve për reformën zgjedhore.
Pas një takimi me aleatët, Basha tha se opozita i ka dorëzuar kryeministrit Rama një ‘plan për reformën zgjedhore’.
Exit.al sjell më poshtë pikat kryesore të kushteve që opozita e bashkuar ka vënë për të nisur bisedimet për reformën zgjedhore, përcjellë nga zyra e shtypit e PD:
1. Procesi i bisedimeve për [reformën zgjedhore] duhet të drejtohet nga përfaqësues ndërkombtarë të BE-së apo SHBA-ve dhe në të të mos marrin pjesë persona që janë objekt i hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.
2. Reforma është e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rekomandimet e OSBE-ODIHR kërkojnë ndërhyrje në legjislacion, duke përfshirë Kodin Zgjedhor, ligjin e administratës publike, ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Mediat Audio-Vizive, etj.
3. Për Reformën Zgjedhore duhet fillimisht vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese, dhe më pas me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik.
4. Opozita duhet të ketë garancinë shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.
5. Opozita duhet të ketë garancinë se qytetarëve do t’i jepet mundësi e vërtetë vendimmarrje të drejtëpërdrejtë, përmes bërjes efektive të referendumeve.
Propozimet konkrete teknike të opozitës për reformën zgjedhore nuk janë bërë ende publike.