Basha: Grusht institucional, regjimi kërkon Gjykatë Kushtetuese kukull

Nga Stafi i Exit
Basha: Grusht institucional, regjimi kërkon Gjykatë Kushtetuese kukull

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka cilësuar grusht institucional mënyrën se si po zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetutese.

Nga Saranda ku ishte në një takim me qytetarë dhe përfaqësues të biznesit, Kryetari i PD-ës tha se “grushti institucional në Gjykatën Kushtetuese po bëhet për të pasur një Gjykatë kukull të regjimit”.

“Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht i pastër institucional. Është një grusht kushtetues, i cili ka për qëllim që në vend që qytetarët të kenë Gjykatën Kushtetuese për të cilën kemi vite që merren hapat për ta formuar, të kenë një kukull të regjimit.”

Zoti Basha theksoi se qeverisë i intereson kapja e drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese pasi ajo është e përfshirë në afera korruptive dhe antiligjore.

“Një qeveri e kapur në afera korruptive, një qeveri që do të grabisë pronat e qytetarëve, siç po bën në Himarë, në Sarandë, kudo në bregdet me koorporatën e investimeve, nuk do Gjykatën Kushtetuese të pavarur. Sepse një Gjykatë Kushtetues e pavarur i thotë “Ndal, këtyre veprimeve”. Se një Prokurori e pavarur e merr të pandehur kryeministrin, kabinetin, të gjithë pushtetin në qoftë se shkelin të drejtat themelore të qytetarëve, biznesit.”

Sipas kryetarit të PD-ës, qeveria “nuk e do reformën në drejtësi”:

“Këta nuk duan Gjykatë Kushtetuese. O ta bllokojnë, o ta kapin, kjo është alternativa e Edi Ramës për Gjykatën Kushtetuese. Sepse një Gjykatë Kushtetuese që nuk falet natën në Surrel, një Gjykatë Kushtetuese që nuk bëhet tenderim me përcaktim nag Ardian Dvorani do të vendosë në mënyrë të pavarur, dhe do të tregojë atë që treguat ju se 30 qershori ishte një proces fals. Do t’i japë fund ose do të ndalë përpjekjet për të kapur të gjithë pushtetet. Të gjitha i kanë kapur, dhe duan t’i çimentojnë tani”.

Komenti i Kryetarit të PD-ës Lulzim Basha vjen pas përplasjes institucionale mes Presidentit dhe Parlamentit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Arta Vorpsi shmangu sot procedurën kushtetuese të betimit përpara Presidentit duke dërguar një akt noterial në shkelje të Kushtetutës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>