Basha i bashkohet protestës së banorëve te Unaza e Re: Luftoni për fëmijët tuaj

Basha i bashkohet protestës së banorëve te Unaza e Re: Luftoni për fëmijët tuaj

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu bashkua sot protestës së banorëve të Unazës së Re dhe sulmoi qeverinë duke e akuzuar si të korruptuar, që mbështet vjedhjet e fondeve publike, grabitjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve.

Zoti Basha u shpreh se mungesa e transparencës për projektet e rrugës dhe devijimit të lumit Lana “i ka bërë bashkë qytetarët pasi askush nuk e di nëse do ketë më strehë mbi kokë”.

Kryetari i PD deklaroi hapur mbështetjen për banorët e “Unazës së Re” dhe sulmoi qeverinë duke e akuzuar se po nëpërkëmb qytetarët duke u prishur shtëpitë për aferat e saj korruptive dhe se me këtë nivel korrupsioni vendi nuk do të anëtarësohet në Bashkim Evropian:

“…40 milionë euro u vodhën me aferën e unazën e re, u ndryshua rrjedha e Lanës që të ndërtonte miku i Balles dhe Ramës. Balla është mundësuesi i pastrimit të qindra milionë eurove të Toyota Yaris. Tahiri e ktheu Shqipërinë në hambar droge. Në një vend ku kriminelët janë të lirë e baballarët në burg… ky vend nuk e ka vendin në Evropë”.

Zoti Basha më pas iu drejtua protestuesve duke thënë:

“Luftoni për fëmijët tuaj. mos të presim që e keqja të tmerrojë fëmijët tuaj, po të rrimë e këtu e ta luftojmë atë. Dështimi i sotëm mban vulën e Edi Ramës. Shkaktari i aferës në Unazën e re, ai që po i mbyll dyert Shqipërisë. Kjo nuk është një betejë për pushtet, por për t’i dhënë fund regjimit të hajdutëve, t’i japim fund një tranzicioni të tmerrshëm!”

Protestat në Unazën e Re janë përshkallëzuar pas ndërhyrjeve të policisë për të arrestuar disa prej protestuesve. Gjykata e Tiranës vendosi sot t’i linte në burg 3 prej të arrestuarve, ndërsa protestat kanë rreth 12 muaj që janë pothuajse të përditshme.

Qeveria duket e vendosur për të nxjerrë banorët nga Unaza e Re, për t’i hapur rrugën projekti konfliktual të zgjerimit të Unazës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>