Basha: Kajmaku pasqyrë e poshtërimit të PS, nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar

Nga Gerard Gega
Basha: Kajmaku pasqyrë e poshtërimit të PS, nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar

Kryetari i PD-ës Lulzim Basha e cilësoi turp për socialistët dhe gjithë shqiptarët rastin e shkarkimit të Agim Kajmakut si kryebashkiak të Vorës. Zoti Basha këmbënguli se kjo vërtetoi edhe njëherë se PS ia ka dorëzuar pushtetin krimit dhe zgjidhja e vetme “janë zgjedhjet e parakohshme me qeveri kujdestare”.

Agim Kajmaku u shkarkua sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi u vërtetua se ai kishte fshehur nga formulari i vetëdeklarimit arrestimin dhe hetimin që ishte duke iu bërë në Greqi për një rast ku akuzohej për para të falsifikuara.

Pak pas vendimit të KQZ-së, në një deklaratë për mediat Zoti Basha tha:

Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës është pasqyra e radhës me kë qeveris ai. Është poshtërim për PS nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar, por nxjerr llumin e llumit, por është edhe poshtërim për shqiptarët të cilët shkëlqejnë në botë por në vendin e tyre qeverisen nga kriminele që e kanë vendin në burg. Për këdo që ka patur dyshime se 2013, 2015, 2017 apo 2019 ka qenë rastësi tani i ka të gjitha provat se kjo ka qenë skemë e mirëmenduar për t’i dorëzuar pushtetin krimit. Prandaj qeveris me krimin dhe e mban pushtetin me krimin.

Opozita ka denoncuar deri më sot të paktën 3 raste të kryebashkiakëve të zgjedhur nga zgjedhjet e 30 qershorit se kanë pasur probleme me ligjin në të shkuarën. Deri më sot pretendimet e opozitës janë vërtetuar për Valdrin Pjetrin, kandidat për kryebashkiak Shkodër dhe Agim Kajmakun, kryebashkiak i Vorës.

Akuzat e tjera kanë qenë për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani, i cili sot mori pjesë normalisht në mbledhjen që Kryetari i PS-së, Edi Rama zhvilloi në Tiranë me drejtuesit e bashkive të veriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>