Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se qeveria duhet të ndihmojë sipërmarrësit e Durrësit me politika fiskale që të mos falimentojnë pas dëmeve të tërmetit.
Gjatë një takimi me sipërmarrës të dëmtuar nga tërmeti, Zoti Basha deklaroi:
“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete.”
Për këtë, PD ka propozuar disa pika që ndihmojnë sipërmarrësit të mos falimentojnë:
- Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit;
- Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës;
- Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
- Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet;
- Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
Zoti Basha tha se masa të përafërta me këto janë marrë dhe nga qeveria italiane pas tërmetit shkatërrues të vitit 2016:
“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale.
Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?!
E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100 për qind të vlerës së dëmit, njësoj si banesat.”
Zoti Basha theksoi se çdo lehtësim që i bëhet bizneseve të dëmtuara është ndihmë për të gjitha ata që janë të punësuar aty:
“Biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesë biznesin do të dëmtosh të gjithë; do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë.”
Një ditë më parë, dhe Dhoma e Tregtisë Durrës i kërkoi qeverisë përjashtimin e përkohshëm nga tatimet e taksat të bizneseve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.