Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE mes dy vendeve ishin çështjet që theksoi kreu i PD, Lulzim Basha në samitin e Partisë Popullore Europiane për Ballkanin Perëndimor.
Basha kërkoi angazhimin e BE-së në arritjen e një marrëveshjeje pasi “problemet e pazgjidhura mund të krijojnë kriza” duke vënë në dukje rastin e fundit për çështjen e targave.
Si hap të parë angazhimi, Basha nënvizoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 shtete anëtare të BE-së të cilët nuk e kanë bërë ende këtë.
Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran pasi pretendojnë se një gjë e tillë duhet bërë më parë nga Serbia.
“Asnjë paralelizëm nuk mund të bëhet, asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka certifikuar atë.”, deklaroi Basha në samitin e PPE-së.
Partia Popullore Europiane është një grupim partish të djathta europiane, përfshi Partinë Demokratike.
PPE funksionon si parti në rang europian dhe ka grupin më të madh parlamentar në Parlamentin Europian.