Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se zgjidhja e krizës politike në Shqipëri bëhet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat garantohen nga një qeveri tranzitore.
Këtë Zoti Basha e deklaroi sot në një takim me drejtuesin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan (NDI) Robert Benjamin:
“Me Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të institutit demokratik amerikan NDI, z. Robert Benjamin diskutuam krizën politike në vend, zgjidhja e të cilës kalon përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Derisa të jetë anëtare e Bashkimit Europian, para zgjedhjeve Shqipëria duhet të ketë një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.”
Kryetari i PD-ës shtoi se “ndarja e krimit nga politika është jetike për demokracinë në Shqipëri”. Zoti Basha shprehu shqetësimin për vonesat në ngritjen e strukturave që do të luftojnë krimin dhe korrupsion në vend duke deklaruar gadishmërinë e opozitës për t’i vënë në shërbim të qytetarëve pasuritë e vendit.
“Ndava shqetësimin e opozitës për vonesat në ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe BKH që do të hetojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar që pasuritë që ka vendi dhe potencialin e jashtzakonshëm njerëzor ti vëmë në të mirë të qytetarëve dhe jo në funksion të një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh.”
Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme që prej muajit shkurt kur vendosi të linte mandatet parlamentare. Muajin e fundit, pas mungesës së hapjes së negociatave, kërkesa për zgjedhje është shtuar edhe më tej me argumentin se qeveria me performancën e saj dështoi të bindë vendet e BE-së.