Kreu i PD, Lulzim Basha kujtoi sot (24 tetor) 75 vjetorin e krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në një postim në Twitter, Basha shkruan se kjo ditë përkon dhe me 65 vjetorin e pranimit të Shqipërisë në OKB.
Ai shprehu dëshirën që Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate sa më parë duke premtuar angazhimin e qeverisë së tij për këtë çështje.
Postimi i plotë i Bashës:
“Dita e sotshme shënon 75 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila është organizata më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, e krijuar për të forcuar bashkëpunimin midis shteteve, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë.
Sivjet mbushen gjithashtu 65 vjet nga pranimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është dita për të rikonfirmuar përkushtimin tonë për të ndjekur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e mbështetur misionin e OKB-së në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë.
Në këtë 75 vjetor të OKB dua të shpreh urimin që gjithashtu që Republika e Kosovës të marrë sa më shpejt vendin që i takon si shtet anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate. Unë dhe qeveria e ardhshme e Shqipërisë do japim mbështetje të pakursyer për ta bërë këtë realitet.”