
Kreu i PD-së Lulzim Basha kujtoi, të premten, masakrën e kryer nga forcat ushtarake serbe në fshatin jugor të Reçakut, 32 kilometra në jug të Prishtinës.
Në një postim në Twitter, Basha shkroi:
“Mbarë shqiptarët përkujtojnë sot masakrën e Reçakut. Plaga është ende e freskët, dhimbjet nuk janë fashitur e do të mbeten derisa të ketë drejtësi për viktimat e genocidit në Reçak dhe në të gjithë Kosovën. Drejtësi që historia të mos përsëritet, as harrohet e as tjetërsohet!”
21 vjet më parë, forcat serbe vranë 45 shqiptarë etnikë në fshatin Reçak. Pas kësaj masakre, forcat e NATO-s vendosën nisjen e bombardimeve kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Gjatë luftës së Kosovës 1998-1999 u vranë rreth 10,000 shqiptarë. Më 24 mars 1999 forcat e NATO-s nisën bombardimet, të cilat zgjatën 78 ditë dhe i dhanë fund sundimit serb në Kosovë. Në 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë.