Basha: Minishengeni rrezik për heqjen dorë nga BE dhe mungesë ndjeshmërie ndaj Kosovës

Nga Redaksia
Basha: Minishengeni rrezik për heqjen dorë nga BE dhe mungesë ndjeshmërie ndaj Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se minishengeni shihet si rrezik për heqjen dorë nga anëtarësimi në BE. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se:

“Po kaq shqetësues është fakti se kjo nisëm u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negocitave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian.”

Sipas tij kjo marrëveshje cenon orientimin gjeopolitik pro perëndimor të Shqipërisë.
Basha tha se takimi i minishengenit tregon mungesë ndjeshmërie dhe mirënjohje ndaj Kosovës, e cila sipas tij iu gjend në momente të vështira Shqipërisë.

“Theksoj se i ashtuquajturi samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, në vijim të përpjekjeve për të revizionuar historinë e krimit të saj shtetëror. Kjo fyerje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar do duhej të ishte mjaftueshëm argument për të mos ta mbajtur atë aktivitet deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia.

Ndihem i turpëruar që qeveria e Shqipërisë nuk demonstron empati dhe përgjegjësi për plagët e pambyllura të Kosovës, pikërisht në këtë periudhë kur populli i saj u ngrit i gjithi në këmbë e me zemër të hapur në solidaritet për të ndihmuar, si e me sa të mundeshin familjet e prekura nga tërmeti.”

Basha shtoi gjithashtu se kjo marrëveshje është e panevojshme pasi Shqipëria tashmë është pjesë e marrëveshjes rajonale CEFTA, e cila sipas tij rezulton e suksesshme. Nga ana tjetër ai theksoi se kjo “seri takimesh duket se është propagandë që synon të largojë vëmendjen nga dështimi me hapjen e negociatave si dhe nga keq-qeverisja socialiste që po shkakton gjithmonë e më shumë kosto tek çdo qytetar.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>