Basha: Moshapja e negociatave, dështim personal i Edi Ramës

Basha: Moshapja e negociatave, dështim personal i Edi Ramës

Lideri i opozitës Lulzim Basha deklaroi se vendimi i BE-së për të mos hapur negociatat është dështim personal i Kryeminsitrit Edi Rama dhe i qeverisjes së tij.

Në një bashkëbisedim me gazetarë sonte, ai tha se propaganda e qeverisë shqiptare nuk mund të mjaftonte për të fshehur kapjen e shtetit nga krimi dhe oligarkët.

Basha pohoi se vendimi negativ nga Brukseli erdhi si rezultat i nevojës për të ndarë gjendjen e vërtetë në vendet e Ballkanit nga propaganda e qeverive të tyre.

Ai theksoi se Shqipëria e ka të gjithë potencialin e duhur për t’u integruar shpejt në BE.

 Propaganda, e pamjaftueshme për integrim në BE

Basha tha se në thelb Franca dhe Gjermania me kushtet e saj kërkonin të njëjtën gjë, por njëra përmes presidentit, tjetra përmes palamentit: mënyrën për të vërifikuar “të vërteta[t] e Ballkanit dhe gënjeshtrat e Ballkanit, demokratët që shiten si autokratë, trafikantët e drogës që shiten si politikanë të ndershëm.”

Ai tha se Franca po kërkonte kontroll më të mirë, pas disa problemeve me Hungarinë, Poloninë, Çekinë, Bullgarinë apo Rumaninë, qe sidoqoftë “po t’i marrësh të gjitha bashkë, nuk janë as 1/100 e problemeve që ka sot Shqipëria.”

Përgjegjësia për dështimin, e qeverisë

Basha kujtoi se prej ardhjes në pushtet të socialistëve në 2013, numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së ka pasur rritje të madhe.

“2010-2012 numri i azilantëve në total nuk mbushte kurrë 1 mijë në vit. Prej vitit 2013 filloan të shkojnë nga 1 mijë në muaj, pastaj 1 mijë në javë. Në 2015-ën ia kaluam sirianëve dhe afganëve bashkë.”

Ai shtoi se 2 në 10 familje në Shqipëri ushqehen me lista, se 47% e shqiptarëve nuk do të ketë para për t’u ngrohur këtë dimër, dhe se 70% e tyre harxhojnë të gjitha të ardhurave për të ngrënë.

Basha tha se këto dështime të qeverisë dhe “nivele afrikane mjerimi” janë ndër arsyet që BE-ja ia mbylli derën asaj.

Shqipëria, e kapur nga krimi dhe oligarkët

Lideri i opozitës theksoi kapjen e shtetit nga krimi dhe nga oligarkët si një tjetër arsye themelore për ngecjen e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Ai tha se trafikantët e drogës dhe kriminelët e kërkuar në Evropë gjejnë shpëtim në Shqipëri dhe kapin pushtetin e korruptuar dhe gjithë shtetin.

“Çfarë ndodh këtu? I çojnë të bëhen kryetarë bashkie, nuk i kap më as ligji i dekriminalizmit. Nuk kanë blerë më thjesht polic kufiri a ndonjë shef komisariati. Kanë blerë prokurorinë, kanë blerë parlamentin, qeverinë, kanë blerë proceset burg? Jo! Këtu janë bërë biznesmenë, këtu bëjnë kulla në Tiranë. Pastrojnë para, bëhen deputetë, politike dhe po blejnë ekonominë. Aty bëjnë drogë, këtu janë bosa.”

Basha u shpreh se pushteti është i kapur nga një grup i vogël njerëzish:

“Për fat të keq, Shqipëria nuk është më vendi i shqiptarëve. Institucionet e Shqipërisë nuk janë të shqiptarëve. Janë të një grushti njerëzish, të 10 pashallarëve të Edi Ramës, gjysma kriminelë, gjysma oligarkë.”

Shqipëria, me potencialin për të përparuar shpejt drejt BE-së 

Basha theksoi se Shqipëria ka potencialin e duhur për të përparuar shpejt drejt Evropës, nëse ndjek rrugën e vendeve tëtjera anëtare:

“[…] zgjedhjeve të lira e të ndershme, që mundësojnë që vendi të mos u takojë një grushti pashallarësh 2-3 njerëzve, qofshin këta trafikantë droge apo oligarkë, por t’i takojë çdo qytetari […] Së dyti, që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit, pavarësisht nëse është me i pasuri, më I fuqishmi apo më i varfri dhe më I pamunduri. Kjo është Europa.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>